Reichel: Rruga e Kosovës për në BE varet nga puna jua

29/02/2012

 

 

29 shkurt 2012. – Ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel zgjodh një debat me studentët e UBT për të përcjellë te opinioni kosovar qëndrimet e tij dhe të shtetit të tij lidhur me zhvillimet politike në vendin tonë.

 

 “Teoria ime është se ata që nuk duan kompromis nuk e kanë kuptuar Bashkimin Evropian dhe se si shkohet atje. Pa kompromise serioze në politikë multilaterale atëherë nuk do të arrini atje ku doni. Gjithçka tjetër është sikur të jetosh në një botë të fantazisë”, tha ambasadori Reichel, gjatë një debati me temë “Sfidat e Bashkimit Evropian”, që zhvilloi me studentët e UBT.

 

“Deri më tash Kosova është përfaqësuar me UNMIK, emri në tabelën para delegacionit kosovar nëpër takime ka qenë UNMIK. Ose Kosova, sipas Rezolutës 1244. Tash e kemi Kosovë pa UNMIK. Siç e keni kuptuar tashmë edhe fusnota e përmend opinionin e GJND-së dhe Deklaratën e Pavarësisë. A është kjo më mirë apo më keq. Natyrisht që është më e mirë. Ata që nuk e duan këtë nuk po i shërbejnë vendit, për këtë jam i bindur”, u shpreh ai. 

 

Duke iu referuar fusnotës, ai tha se “ata të cilët nuk dëshirojnë të bëjnë kompromise shumëpalëshe në çështje, ata ende nuk e kanë kuptuar se për çka është Bashkimi Evropian”.

 

“Ka diçka që nuk pajtohem kur e diskutoj çështjen e fusnotës me njerëzit. Njerëzit mundohen të krahasojnë ku dikush dëshiron të jetë, pra situatë ideale 100%, me situatën e tanishme. Ndërsa unë them se është e tmerrshme, nuk kemi situatë ideale 100%, por kemi të themi 60%. Dhe ajo që dikush duhet të krahasojë është se ku gjendem tani dhe ku do të gjendem pas kompromisit”, theksoi ambasadorin gjerman.

 

 

Kur u pyet për heqjen e strukturave paralele serbe nga Kosova, si kusht që kancelarja Merkel i pati dhënë Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit, ambasadori gjerman tha se derisa Këshilli i Evropës do të vendosë për statusin e kandidatit për Serbinë, çështja e strukturale paralele nuk do të jenë në fokus të debatit, por kjo nuk do të thotë që çështja nuk do të kthehet në diskutimin e radhës mes BE-së dhe Serbisë. 

 

Ndërsa, lidhur me atë se kur Kosova do të hyjë në BE, ai u shpreh: “Kësaj pyetjeje është e pamundur t’i përgjigjesh, sepse ecja për në BE varet nga performanca e vetë shtetit”.