Refugjatët ndajnë përvojat e tyre jetësore me studentët e UBT-së në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë

22/07/2025

Në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, UBT mirëpriti një aktivitet të veçantë, në të cilin studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të dëgjojnë rrëfime autentike nga persona që kanë përjetuar realitetin e të qenurit refugjatë.

Të ftuarit, të cilët ishin pjesë e programit mbështetës të organizatës JRS (Jesuit Refugee Service), ndanë historitë e tyre personale – duke folur për vendet prej nga vijnë, për sfidat dhe vështirësitë me të cilat janë përballur gjatë rrugëtimit të tyre për të gjetur siguri, si dhe për përvojën e tyre me JRS që nga momentet e para të largimit nga vendlindja.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, të ngrohtë dhe miqësore, ku zërat e refugjatëve u dëgjuan me vëmendje, ndjeshmëri dhe respekt të thellë nga ana e studentëve dhe stafit të UBT-së. Përmes këtij dialogu të drejtpërdrejtë, pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë më thellë aspektet humanitare, psikologjike dhe sociale të krizave të migrimit dhe sigurisë globale.

Ky aktivitet kontribuoi në ndërtimin e empatisë, ndërgjegjësimit ndërkulturor dhe edukimit qytetar, duke shërbyer si një platformë e fuqishme për të nxitur reflektim mbi përgjegjësinë kolektive për të mbështetur të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi.

Fotografitë e huazuara nga: JRS Kosovo