Raporti i lansuar nga UBT nxjerr në pah mungesen e menaxherëve të IT-së

02/02/2018

Është publikuar raporti hulumtues, “Rëndësia e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, i cili është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe është ideuar e zhvilluar nga UBT.

 

Projekti ka për synim të ofrojë kontribut për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë e hulumtimit, në mënyrë që vendin ta mbajë në të njëjtin hap me trendët e fundit botërorë.

 

Në prani të përfaqësuesve të institucioneve dhe kompanive të ndryshme teknologjike, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka treguar se teknologjia informative është një fushë shumë e rëndësishme dhe se indikatorët nga raporti tregojnë që ka një rritje të atyre që synojnë të merren me këtë sektor.

 

Tutje, rektori Hajrizi ka folur edhe për rëndësinë e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me industrinë, duke bërë të ditur se vijimi i trajnimeve është nevojshëm për individin në raport me punësimin e tij dhe zhvillimin e karrierës.
“Përmes këtij hulumtimi ne synojmë që të kontribuojmë në diskutimet aktuale që po zhvillohen në promovimin e edukimit profesional, si mundësi e qëndrueshme për punësim. Gjithashtu, hulumtimi ndërlidhet edhe me identifikimin dhe analizimin e kuadrit të aftësive të individit”, ka thënë Hajrizi, duke shtuar se, edukimi profesional, standardet e cilësisë dhe atraktiviteti i këtyre programeve, janë segmentet kyqe që kërkohen nga tregu i punës.

 

Hartuesi i raportit, njëherësh profesor në UBT, Blerton Abazi, ka prezantuar rezultatet e nxjerra, i cili tregoi se intervistuar 34 kompani private, organizata qeveritare, agjensione shtetërore etj.

 

Gjatë prezantimit të rezultateve, Abazi ka treguar se trajnimet më të njohura në Kosovë, në fushën e IT-së, janë Cisco dhe Microsoft.
“Pyetësori është i përbërë prej 27 pyetjeve, të ndara në tri seksione. Janë 134 intervista. Sa i përket fushës së edukimit rreth 70 për qind e të intervistuarve posedojnë diplomë në nivelin bachelor në fusha të ndërlidhura me Inxhinieri Kompjuterike, Informatikë e Biznesit apo nga Fakulteti Ekonomik, përkatësisht drejtimi Menaxhment dhe Informatikë”, ka thënë Abazi.

 

Ai sqaroi se pak inxhinierë janë të fokusuar në fushën e menaxhimit të IT-së, teksa theksoi se më shumë janë të fokusuar në fusha teknike.

 

Sipas rezultateve të raportit, trajnimet dhe certifikimet profesionale konsiderohen shumë të rëndësishme nga të anketuarit, prej nga 68 nga të intervistuarit kanë theksuar se certifikimet e tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillim profesional, avancim në punë dhe rritje në aspektin financiar.
12 nga të anketuarit kanë pasur vlerësim neutral për rëndësinë e certifikimeve, duke konsideruar se certifikimet nuk mund të ndikojnë shumë në zhvillimin profesional apo edhe në aspektin financiar.

 

Pas prezantimit të rezultateve, të pranishmit kanë diskutuar për lansimin e një fushate vetëdijësuese, në mënyrë që të rritet ndërgjegjësimi dhe rëndësia e edukimit profesional në Kosovë.