Qendra për Hulumtimin e Opinionit e UBT-së prezantoi hulumtimin Aftësitë e kërkuara në fushën e TIK-ut në Kosovë

24/07/2015

Qendra për Hulumtimin e Opinionit, që vepron në kuadër të UBT-së, ka prezantuar sot rezultatet e hulumtimit “Aftësitë e kërkuara në fushën e TIK-ut në Kosovë”.

 

Përfaqësues nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, përfaqësues nga institucionet e vendit dhe përfaqësues nga kompani të ndryshme nga fusha e teknologjisë informative dhe mysafirë të tjerë përcollën rezultatet e hulumtimit, qëllimi kryesor i të cilit është hulumtimi i aftësive të kërkuara në fushën e TIK-ut në Kosovë.

 

Hulumtimi është realizuar në formë të anketimit direkt dhe elektronik. Ai ka përfshirë 60 kompani të ndryshme që merren me teknologji informative në të gjitha rajonet e Kosovës. Qasja përmes anketimit direkt është përzgjedhur si formë e cila do të ofrojë të dhëna direkte nga kompanitë që ofrojnë shërbime në TIK dhe adreson mangësitë e njohurive, të cilat punonjësit e kompanive teknologjike duhet të posedojnë.

 

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i çmoi rezultatet e anketës si shumë me interes për institucionet shtetërore, ato akademike dhe për kompanitë e teknologjisë informative.

 

Ai theksoi nevojën që në Kosovë të ketë më shumë bashkëpunim midis institucioneve shtetërore, institucioneve akademike dhe industrisë, me qëllim të zhvillimit sa më të mirë të kësaj fushe, në hap me trendet e zhvillimit ndërkombëtar,

 

Disa nga treguesit më të rëndësishëm të anketës po i shpalosim në vijim.

 

Në pyetjen cili është niveli i edukimit të punëtorëve në kompanitë e TIK-ut, anketa ka treguar se 52.13 për qind e të punësuarve janë me nivelin master të edukimit, 36.92 për qind me nivelin baçelor, 6.15 me nivelin e doktoratës dhe vetëm 4.62 për qind janë me shkollë të mesme.

 

Të pyetur sa i adreson shkathtësitë e nevojshme për punë kurrikula mësimore që aplikohet në edukimin e lartë, 64.91 për qind janë shprehur se i adreson mesatarisht, 22.81 për qind aspak dhe 12.28 për qind plotësisht.

 

Anketa ka përfshirë edhe një pyetje lidhur me trajnimin e punëtorëve në kompanitë e teknologjisë informative. 75.81 për qind kanë theksuar se trajnimi bëhet brenda kompanisë, 14.52 për qind se ky trajnim bëhet jashtë kompanisë dhe 9.68 për qind kanë theksuar se punëtorët nuk trajnohen fare.

 

Madje 80.33 për qind deklarojnë se kompania fare nuk është konsultuar me institucionet që ofrojnë trajnime, që do të thotë se vetëm 19.67 për qind e kanë bërë këtë.

 

Pyetja tjetër ka të bëjë me mënyrën e përdorur nga ofruesit e arsimit të lartë për të kontaktuar kompanitë. Del se në 40 për qind të rasteve kjo është bërë përmes anketimit, në 33 për qind të rasteve përmes grupeve punuese dhe në 27 për qind të rasteve përmes debatit publik.

 

Përgjigje shumë interesante ka nxjerrë pyetja në lidhje me shkathtësitë teknikë që ju nevojiten kompanive të TIK-ut. Anketa ka nxjerrë se ato çmojnë më së shumti Konfigurimet (16 për qind), vendin e dytë e zë Dizajni (14 për qind) dhe të tretin Certifikimet, si në Cisco, ECDL, Windows (13.33 për qind). Më tutje renditen Web programimi, Administrimi i bazës së të dhënave, Programimi server-klient e të tjera.

 

Ndërsa, kur janë pyetur për gjuhët programuese që janë më të kërkuarat në treg, të anketuarit kanë bërë këtë renditje: Java (25.25 për qind), C++ (21.21 për qind), PHP (19.19 për qind) C# (13.13 për qind) e të tjera, si ASP, C, Python e Perl.

 

Përgjigje mjaft interesante janë dhënë në pyetjen cilat aftësi kërkohen më së shumti nga kompanitë e TIK-ut. Del se kompanitë më së shumti çmojnë përvojën e punës në pozita të ngjashme (25 për qind), aftësitë për zgjidhjen e problemeve (14.2 për qind), ndërsa diploma universitare është vetëm në vendin e tretë (11.36 për qind). Kompanitë çmojnë edhe njohjen e gjuhëve (amtare dhe të huaj), trajnimet dhe certifikimet, aftësitë e hulumtimit e të tjera.

 

Anketa ka përfshirë edhe pyetjen në lidhje me mangësitë e vërejtura te punëtorët e rinj. Në përgjigje dominojnë mangësitë në zgjidhjen e probleme (14.44 për qind), problemet me shkathtësitë e komunikimit (12.78 për qind), mangësitë në njohjen e pajisjeve teknologjike (10 për qind) e të tjera.

 

 

Pas paraqitjes së rezultateve të anketës, pjesëmarrës nga fusha akademike dhe përfaqësues të kompanive të teknologjisë informative zhvilluan një debat të gjerë lidhur me të gjeturat e anketës dhe gjendjes në të cilën është teknologjia informative sot në Kosovë.