Qendra Këshilluese, mbështetje kryesore psikologjike për studentët e UBT-së (Video)

06/12/2018

Suksesi dhe performanca pozitive e studentëve është një ndër aspiratat kryesore të UBT-së, prandaj edhe ekzistojnë mekanizma mbështetës për studentët në të gjitha aspektet e mundshme.

Mbi këtë parim, UBT ka themeluar Qendrën Këshilluese për Studentë, që udhëhiqet nga psikologia Vjollca Pllana-Shahini, e cila ofron këshillim dhe mbështetje pa pagesë për shëndetin mendor dhe emocional për studentët e UBT-së.

 

Që nga prilli i këtij viti, kur edhe janë regjistruar rastet e para në qendër, nga këshillimi psikologjik kanë përfituar dhjetëra studentë të UBT-së, teksa qendra ka shënuar rritje e vazhdueshme edhe në numrin e studentëve që janë të gatshëm të adresojnë dhe të trajtojnë shqetësimet e tyre.

Në kuadër të saj ofrohen një varg shërbimesh, përfshirë këshillimin individual, këshillimin grupor, punëtoritë dhe programin përkrahës të bashkëmoshatarëve (studentët për studentët).

 

Një mobilizim të tillë të studentëve që të kujdesen për shëndetin e tyre, psikologia Pllana – Shahini e konsideron si një hap shumë pozitiv.

“Është shpresëdhënës fakti se të rinjtë tanë dita-ditës po i thyejnë tabutë dhe stigmat kulturore e sociale për të kërkuar ndihmë profesionale. Kujdesi për shëndetin mendor është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për shëndetin fizik. Në fakt, trupi dhe mendja janë një”, u shpreh ajo.

 

Qendra Këshilluese është e hapur për të gjithë studentët e të gjitha programeve dhe të secilit nivel të studimeve, çdo ditë pune nga 09:00-17:30.

Qendra gjendet në Kampusin Inovativ, në Lipjan, në Objektin 3, zyra G303.

 

Tё gjithё studentët që janë të interesuar mund tё kërkojnë termin duke kontaktuar personalisht me psikologen Vjollca Pllana Shahini apo përmes email-it: [email protected].