Punimi i studentit të UBT-së do të shfaqet në Kino ARMATA

08/02/2019

Studenti i UBT-së, Benart Shala arriti të merrte famë ndërkombëtare me projektin e tij “Arkitektura përmes Efektit të Fluturës”, kurse tash i njëjti projekt do të shfaqet si një film i shkurtër në Kino ARMATA, të hënën e javës së ardhshme, me fillim nga ora 19:00, ku edhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të shohin idenë e tij jashtëzakonisht unike.

 

Qëllimi kryesor i këtij filmi të shkurtër është reflektimi i aspektit eksperimental të efektit flutur në hapësirën lokale. Ideja e përfshirjes së efektit flutur është një vullnet i lirë që i shtyn arkitektët më shumë në hartimin e diçkaje që mund të dallohet nga arkitektura e së tashmes dhe e së kaluarës.

Përfundimi i këtij projekti lidhet me arkitekturën e ardhshme, ashtu që ajo të jetë i projektuar në një mënyrë që përdoruesi të ketë një perceptim unik të arkitekturës.

 

Benarti me këtë projekt hyri në garën ndërkombëtare, “Future Architecture”, pjesë e së cilës ishin mbi 350 projekte të arkitektëve të rinj nga 70 shtete të ndryshme të botës, prej ku projekti i tij arriti të shpallej si projekti më i votuar nga publiku dhe mblodhi gjithsej 1201 vota, më shumë sesa çdo garues tjetër i botës. Si rezultat i këtij suksesi, ai do ta përfaqësojë Kosovën në Matchmaking Conference, si pjesë e Creative Exchange 2019, që do të mbahet më 13-15 shkurt, në Lubjanë të Sllovenisë.