Punimi i profesorëve të UBT-së rreth vlerësimit të statusit ekologjik të lumit Klina në Kosovë, është publikuar në revistën “Plants”

bool(false) 14/09/2022

Punimi shkencor i profesorëve të UBT-së: Pajtim Bytyçi, Hazir Çadraku dhe Fidan Feka, në bashkëpunim edhe me disa profesorë të universiteteve vendore dhe ndërkombëtare, me titull: “The Macrophyte Indices for Rivers to Assess the Ecological Conditions in the Klina River in the Republic of Kosovo”, është publikuar në revistën “Plants”, revistë kjo e indeksuar në Web of Science – Scopus dhe gjendet në kuartilin e parë (Q1) me Impact Faktor 4.65.

 

Punimi ka të bëjë me makrofitet, të cilat janë elementë të rëndësishëm të ekosistemeve ujore që rriten brenda ose pranë ujit. Makrofitet përdoren për të vlerësuar statusin ekologjik të trupave ujorë. Me qëllim të vlerësimit të statusit ekologjik të lumit Klina në Kosovë, është kryer një anketë në tetë vende për marrjen e mostrave përgjatë rrjedhës së lumit për të analizuar përbërjen, diversitetin, dendësinë dhe mbulesën e makrofiteve.

 

Në këtë punim janë përdorur indekset e mëposhtme të makrofiteve për të vlerësuar statusin ekologjik të lumit: Indeksi i Makrofitëve për Lumenjtë (MIR), Indeksi i Makrofiteve të Lumit Nutrient (RMNI) dhe Indeksi Hidraulik i Makrofitëve të Lumit (RMHI).

 

Rezultatet e punimit tregojnë se lumi Klina është i ekspozuar ndaj një numri të madh të ndotësve organikë, gjë që reflektohet në përqendrimin e lartë të lëndëve ushqyese, praninë e lartë të specieve makrofite dhe dendësinë në të gjithë lumin, gjë që ndikon drejtpërdrejt në vlerat e përdorura. Numri dhe speciet e makrofiteve, si dhe vlerat e indekseve të përdorura (MIR, RMNI, RMNI (EQR), RMHI, RMHI (EQR)), treguan se cilësia e ujit në SP1, SP5, dhe SP6 ishte shumë e mirë; stacionet SP2, SP4 dhe SP8 kishin cilësi të mirë të ujit, ndërsa në stacionet SP3 dhe SP7, cilësia e ujit ishte e dobët.

 

Në linkun në vazhdim mund të gjeni punimin e plotë të profesorëve të UBT-së: “The Macrophyte Indices for Rivers to Assess the Ecological Conditions in the Klina River in the Republic of Kosovo”.