Përvoja austriake e mirëseardhur për zgjidhjen e problemeve të Kadastrës dhe Noterisë në Kosovë

09/12/2015

Modeli austriak i bashkëpunimit ndërmjet kadastrës, noterisë, gjykatës dhe Administratës Tatimore si një shembull për Kosovën ka qenë një nga temat kryesore që është trajtuar sot gjatë konferencës “Dita Austriake-Kosovare e Kadastrës dhe Noterisë 2015”, të organizuar nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare.

 

Kjo konferencë vjen në vazhdën e një varg konferencash organizuar nga këto dy institucione, qëllim kryesor i të cilave është diskutimi i temave me interes për institucionet shtetërore dhe qytetarët, me theks të veçantë bartjen në Kosovë të përvojave austriake në fusha të caktuara, të cilat mund të merren si model për zgjidhjen e një varg problemesh aktuale në rrugën e ndërtimit të shtetit tonë dhe sidomos në harmonizimin e veprimeve në periudhën e proceseve integruese në institucionet e Bashkimit Evropian.

 

Në këtë temë, para pjesëmarrësve të shumtë në konferencë folën Murat Hoxa, kryetar i Asociacionit të Gjeodetëve të Kosovës, Dr. Julius Ernst nga Agjencia Kombëtare Austriake e Kadastrës, Alexander Winkler nga Dhoma e Noterëve e Austrisë, Wolfgang Schaffer, udhëheqës i BIT Group Austria, Sali Ahmetaj, ekspert i kadastrës, Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë, Lulzim Ismajli, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Agron Beka, udhëheqës i OJQ-së për strehim social dhe të drejtat pronësore, si dhe folës të tjerë.


Pjesëmarrësit kanë përcjellë me interes paraqitjen e mysafirëve nga Austria, të cilët paraqitën në detaje mënyrën e funksionimit të shërbimeve të noterisë dhe të gjeodezisë në Austrisë, si dy fusha me ndërlidhje veprimesh. Ata theksuan se modeli i punës së institucioneve që përfaqësojnë, Agjencia Kombëtare Austriake e Kadastrës, Dhoma e Noterëve e Austrisë dhe BIT Group Austria, që në fokus ka digjitalizimin e veprimeve në fushën e noterisë dhe të drejtësisë në përgjithësi, mund të shërbejë si shembull për t’u vënë në zbatim edhe në vendin tonë.

Problemet në këtë fushë në Republikën e Kosovës, të krijuara nga një varg faktorësh dhe që vazhdojnë te jenë të pranishme edhe pas kaq vjetësh të funksionimit të institucioneve të vendit dhe të bartjes në vend të eksperiencës ndërkombëtare, mund të zgjidhen me funksionim të institucioneve në zbatim të ligjeve përkatëse, por duke u mbështetur shumë në përvojat pozitive ndërkombëtare, me theks të veçantë në përvojat e shtetit të Austrisë.


Nga ana tjetër, përfaqësuesit nga Republika e Kosovës theksuan problemet reale me të cilat përballen në baza ditore institucionet, që nga niveli qendror e deri te niveli lokal, në fushën e gjeodezisë, kadastrës, noterisë e niveleve të tjera të institucioneve, që kanë ndërlidhmëri në punën e tyre.

 

Ata mirëpritën eksperiencën austriake dhe shfaqën interesimin e tyre për të qenë të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve të institucioneve, respektivisht të qytetarëve të cilët, realisht, i bartin pasojat, qoftë të veprimit të ngadalshëm të institucioneve të drejtësisë, qoftë të probleme të grumbulluara në fushën e  gjeodezisë e probleme të tjera të grumbulluara me vite të tëra.