Projekti “diMTV” bashkon përsëri në Kosovë partnerët dhe implementuesit e këtij projekti

26/09/2019

Në UBT po i zhvillon punimet punëtoria dyditore në kuadër të projektit të financuar nga Erasmus+, “diMTV”, i cili ka bërë bashkë dhjetëra ekspertë nga universitetet partnere në kuadër të këtij projekti.

 

Ky takim është zhvilluar kësaj here në Kosovë, me ç’rast pjesëmarrësit, të ndarë në dy grupe punuese paralele, kanë mbajtur në UBT takimin koordinues për të bërë evaluimin e arritjeve të deritashme në kuadër të projektit dhe analizën e buxhetit.

 

Me këtë rast, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, përfaqësuesja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Albana Halili dhe përfaqësuesja e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Ibrani, kanë shfaqur para pjesëmarrësve të arriturat institucionale dhe arritje e deritashme në kuadër të projektit “diMTV”.

 

Në anën tjetër, pjesa e dytë e projektit u zhvillua në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, ku përfaqësuesit e UBT-së dhe të institucioneve tjera kontribuuese në këtë projekt, kanë marrë pjesë në një punëtori të përbashkët për animacion.

 

Dita u përmbyll me vizitën e realizuar në kampusin e UBT-së në Prishtinë dhe në Kampusin Inovativ në Lipjan, ku pjesëmarrësit panë të arriturat dhe investimet e UBT-së për zhvillim të laboratorëve, veçanërisht të atyre në fushën e multimedias, përfshirë këtu edhe laboratorin që u krijua përmes projektit “diMTV”.