Profesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
18/12/2025Nga data 7 deri më 12 dhjetor 2025, Profesori Lulzim Beqiri, nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, ka marrë pjesë në një mobilitet akademik në Technische Hochschule Lübeck (TH Lübeck) në Gjermani, në kuadër të programit Erasmus+.

Ky mobilitet është zhvilluar në kuadër të Punëtorisë së dytë të përbashkët ndërmjet FAU/UPT dhe Technische Hochschule Lübeck, ku janë përfshirë shumë studentë, të organizuar në grupe të përbashkëta ndërinstitucionale. Tema qendrore e kësaj punëtorie ka qenë studimi i Lumit të Osumit në zonën e mbrojtur të qytetit historik të Beratit.
Profesori Lulzim Beqiri ka qenë pjesë e stafit udhëheqës akademik të studentëve gjermanë, së bashku me Prof. Michael Locher (Prodekan), Prof. Kendra Busche, Prof. Rike Ruppenthal, duke kontribuar në drejtimin profesional dhe akademik të punës kërkimore dhe konceptuale të studentëve.
Punëtoria njëjavore ka përfshirë analiza urbane, mjedisore dhe arkitektonike të një zone me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, duke e trajtuar lumin Osum si element strukturor në zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit 2400-vjeçar të Beratit.
