
Profesori i UBT-së, Musa Sabedini, publikon punim shkencor në revistën ndërkombëtare JGPSCD në SHBA
11/07/2025Profesori i UBT-së, Musa Sabedini, ka realizuar një tjetër sukses akademik me publikimin e punimit shkencor në revistën ndërkombëtare Journal of Global Perspectives on Society, Culture, and Development (JGPSCD), e cila botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga MK Science Set Publishers, me ISSN 3067‑8358 dhe me sistem vlerësimi shkencor “double-blind peer review”.
Punimi me titull “A janë lajmet e rreme (dezinformimi) armiku më i madh i Etikës, në gazetarinë profesionale në Kosovë?” trajton një tematikë aktuale dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimin e gazetarisë etike dhe profesionale në Kosovë, në një kohë të mbushur me sfida të dezinformimit dhe lajmeve të rreme.
Ky punim, i cili është i pajisur me DOI zyrtar, përbën një kontribut domethënës në fushën e studimeve të gazetarisë dhe etikës mediale, duke pasuruar kështu literaturën akademike dhe duke rritur profilin ndërkombëtar të UBT-së në kërkim shkencor.
Profesori Sabedini është autor i tre librave shkencorë në fushën e gazetarisë dhe etikës, përfshirë:
- Etika, mburojë e gazetarisë profesionale (2025), promovuar në UBT
- Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon: Etika dhe sfidat e vetërregullimit (2024)
- Mediet, etika, raportimet për situata të ndjeshme (2023)
Ai ka prezantuar mbi 11 punime shkencore në konferenca ndërkombëtare dhe gëzon mbi 33 vite përvojë në gazetarinë informative dhe hulumtuese. Është themeltar dhe redaktor i portalit RajoniPress, i njohur për raportime profesionale mbi çështje të ndjeshme si korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Për angazhimin e tij në gazetari, Sabedini është katër herë fitues i çmimit “Gazetari i Vitit” në Kosovë, ndërsa ka ndjekur trajnime të avancuara në SHBA, përfshirë edhe në University of Missouri – Columbia, në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe luftës kundër korrupsionit.