Profesori Groumpos: Suksesin e UBT-së për 15 vjet, disa universitete s’do ta arrinin as për 50 e 100 vjet

07/11/2016

Profesori nga Universiteti i Patrasit në Greqi, Peter Groumps, është befasuar me arritjet që UBT i ka bërë për 15 vjet të punës akademike. Në një intervistë për “UBT NEWS”, ka theksuar se një arritje të tillë, disa universitete nuk do ta arrinin as për 50 apo 100 vjet. Këtë përshtypje, profesori nga Greqia e ka fituar gjatë vizitës katërditore që ia ka bërë UBT-së, ku ka mbajtur ligjëratë tematike për teknologjinë informative dhe është takuar me rektorin, stafin akademik, si dhe me studentët e këtij universiteti. Arritjen e këtillë, profesori Peter Groumps, ia ka atribuar rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizin, njohjen me të cilin e cilëson privilegj.


“Është privilegj i madh që e kam njohur, jam njoftuar me punën e madhe që e ka bërë për UBT-në dhe në përgjithësi për arsimin e lartë në Kosovë. Jo vetëm UBT-ja, por edhe Kosova është me fat që e ka një njeri të tillë”, ka theksuar profesori nga Greqia.

 

Pikë e fortë e UBT-së – marrëdhëniet ndërkombëtare

Profesori e ka vizituar UBT-në për herë të parë më 2013, teksa sivjet është këtu për të tretën herë.

“Nga viti 2013 kam parë rritje të numrit të studentëve, paralel me numrin e programeve të studimit. Kjo është shenjë shumë e mirë, që tregon se UBT-ja po rritet, duke krijuar situatë shumë të shëndetshme për një universitet”, ka thënë profesori. Si pikë të fortë të UBT-së, ai cilëson bashkëpunimin me universitetet më të njohura dhe prestigjioze të botës. 
“Kjo përbën një element të fortë, sepse ndërton një përvojë të mirë për të transferuar programe dhe praktika të caktuara të universiteteve shumë të njohura, deri tek një universitet i ri, si UBT-ja”, ka thënë ai, duke treguar se ka takuar studentë në UBT, të cilët janë pjesëmarrës aktivë gjatë prezantimeve të tij.

“Ata janë entuziastë, të dëgjueshëm dhe çdo herë gati për të bërë pyetje. Kjo do të thotë se niveli i edukimit të tyre është shumë i lartë dhe lirisht mund të krahasohen me studentë të universiteteve të tjera, jo vetëm në shtetet e Ballkanit, por edhe me ata të universiteteve nga Evropa”, është shprehur ai. Përshtypje tjetër e profesorit nga Greqia për UBT-në është se gjatë qëndrimit deri në orët e vona në ambientet e universitetit, ka parë studentë duke mësuar e punuar edhe në atë kohë.

“Shumë rrallë shihet një pamje e tillë nëpër universitetet publike, por edhe ato private, ku studentët janë aq të entuziazmuar për ta bërë veten, UBT-në dhe Kosovën të suksesshme”, është shprehur ai. Për stafin që e ka njohur, profesor ka thënë se janë të kualifikuar dhe me njohuri të thella në fushën e shkencës dhe të teknologjisë.
“Programet në UBT janë shumë të mira. Unë kam qëndruar edhe në Kampusin Inovativ, ku kam parë se atje ofrohen shumë mundësi , sidomos në pjesën e shkencës dhe të teknologjisë. Këto kushte duhet të shfrytëzohen nga studentët, për të krijuar një qytet të mençur, sikur shumë qytete të tjera evropiane, duke bashkuar drejtimin e Shkencave kompjuterike, Inxhinierisë së ndërtimit etj.”, ka spikatur ai.

 

Konferencat ndërkombëtare të UBT-së, të dalluara

Profesori Peter Groumps, ka vlerësuar lart konferencat ndërkombëtare të UBT-së, duke u fokusuar në Konferencën e fundit Ndërkombëtare për Biznes, Teknologji e Inovacion. 
“Konferenca po përfshin një numër shumë të madh të fushave shkencore, duke filluar nga biznesi, informatika e shkencat kompjuterike, komunikimi, arkitektura, juridiku dhe trashëgimia kulturore”, ka vijuar ajo, duke treguar se në jetën e tij akademike ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës, por asnjëherë nuk ka parë të ketë aq fusha shkencore, që mbulohen në një organizim të vetëm, siç ka ndodhur në këtë konferencë.

“Përfshirja e shumë fushave, e shndërron këtë konferencë në një organizim unik. Jam i bindur që brenda pak viteve, kjo konferencë nuk do të organizohet vetëm për vendet e Ballkanit, por do të përfshihen vende nga e tërë Evropa dhe bota”, ka theksuar ai. 
Ai e ka vlerësuar lart edhe Konferencën “TECIS 2016”, ku UBT ishte bashkorganizatore. 
“Them me plot siguri që shteti i Kosovës është shndërruar në një organizator dhe pjesëmarrës tejet i rëndësishëm i konferencave shkencore ndërkombëtare. Ky është një sukses që shumë pak shtete e kanë arritur”, ka vijuar profesori, gjithnjë duke ia atribuuar meritat UBT-së dhe rektorit Hajrizi. “Në këtë aspekt, profesori Hajrizi dhe UBT, si institucion i arsimit të lartë, kanë merita të larta sepse e kanë bërë të mundur përfshirjen dhe pranimin e Kosovës në shumë programe, shoqata, projekte e federata ndërkombëtare, përderisa shumë shtete me histori pesëdhjetë apo njëqindvjeçare, nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë sukses”, ka përfunduar ai.