
Profesorët e UBT-së prezantuan projektin COWEB në takimin “Cluster” të organizuar nga Erasmus Plus Kosova
30/05/2025Profesorët e UBT-së, Prof. Gonxhe Beqiri dhe Prof. Engelbert Zefaj, morën pjesë në takimin “Cluster” të organizuar nga Erasmus Plus Kosova në Prishtinë. Ata përfaqësuan projektin COWEB, një iniciativë e financuar nga programi Erasmus Plus, e cila synon zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale në Kosovë.
Takimi kishte për qëllim mbledhjen e përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë që janë përfituese të projekteve të Erasmus Plus, duke krijuar një platformë për diskutim mbi sfidat, përvojat dhe mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të këtyre projekteve. Qëllimi kryesor ishte përmirësimi dhe koordinimi i përpjekjeve në fushën e arsimit të lartë në vend.
Në këtë ngjarje, përveç përfaqësuesve të institucioneve akademike, morën pjesë edhe përfaqësues të Erasmus Plus Kosova, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe agjencive shtetërore si Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Dogana e Kosovës. Ky bashkëpunim multisektorial kontribuoi në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe ideve inovative për avancimin e arsimit dhe zhvillimit institucional.
Profesorët Beqiri dhe Zefaj prezantuan progresin e arritur dhe aktivitetet kryesore të projektit COWEB deri më tani, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikimin pozitiv të këtij projekti në ngritjen e kapaciteteve në fushën akademike dhe profesionale. Ata nënvizuan se angazhimi i UBT-së në projekte të tilla është dëshmi e përkushtimit të universitetit për promovimin e cilësisë dhe inovacionit në arsimin e lartë.