
Profesorët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT pjesë e një projekti ndërkombëtar për strategjinë e rindërtimit të Ukrainës
26/06/2025Profesorët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Prof. Lulzim Beqiri dhe Prof. Bekim Ceko, po marrin pjesë në një projekt ndërkombëtar të rëndësishëm që synon hartimin e strategjisë për zhvillimin dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Takimi i parë i këtij projekti u mbajt në formë online dhe u organizua nga Instituti për Studime të Avancuara në kuadër të Universitetit Çek të Teknologjisë (CVUT). Projekti përfshin përfaqësues nga disa vende evropiane si Çekia, Ukraina, Polonia, Sllovakia, Gjermania dhe Kosova.
Profesorët nga Kosova janë të ftuar të kontribuojnë në këtë projekt falë përvojës së tyre shumëvjeçare në proceset e rindërtimit pas luftës në Kosovë, si dhe angazhimit të tyre në projektet e Kombeve të Bashkuara për të drejtat pronësore (UN-Habitat) në Kosovë.
Në kuadër të këtij projekti, takimi i radhës do të jetë një punëtori fizike që do të mbahet në Pragë, nga data 15 deri më 18 tetor 2025, ku pritet të marrin pjesë sërish Prof. Beqiri dhe Prof. Ceko, duke përfaqësuar Kosovën në këtë nismë të rëndësishme akademike dhe zhvillimore.
Ky bashkëpunim përbën një mundësi të madhe për Kosovën që të kontribuojë në proceset ndërkombëtare të rindërtimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, duke afirmuar njëkohësisht kapacitetet akademike dhe institucionale të vendit në arenën ndërkombëtare.