Përgatitja e kuadrove në harmoni me kërkesat e tregut të punës rrit shkallën e punësimit dhe ul kërkesat për largim nga vendi

10/12/2015

Dëshira e qytetarëve për t’u larguar nga Kosova ka shënuar një rritje të dukshme, që nga shpallja e pavarësisë e deri sot. Të dhënat e një anketimi tregojnë se, nëse atëherë dëshironin të largoheshin rreth 24 për qind e qytetarëve, sot kjo përqindje është rreth 37 për qind.

 

Kjo e dhënë, së bashku me të dhënën se çdo vit tregut të punës në Kosovë i shtohen rreth 36 mijë të rinj, prej të cilëve vetëm rreth tetë mijë mund të gjejnë vende pune dolën gjatë debateve në konferencën “Dita Austriake-Kosovare e Tregut të punës 2015”, e organizuar nga  UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare.

 

Konferenca në të cilën folën Andreë Russel, përfaqësues i UNDP-së në Kosovë, prof.dr.Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, Mimoza Nagavci nga ËIFI Shqipëria, Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studimet e Sigurisë, Leon Malazogu nga Instituti D4D, Armend Muja, profesor në UBT, Besian Bicurri nga IOM-i dhe folës të tjerë, nxori ndër të tjera si konkluzion se zvogëlimi i shkallës së papunësisë në Kosovë, si edhe krijimi i kuadrove adekuate për tregun e punës në vend mund të bëhet vetëm me atëherë kur profilet që zgjedhin për të studiuar të rinjtë i përgjigjen kërkesave  të tregut e jo dëshirave shumë herë të paarsyeshme të familjarëve apo të vetë studentëve për të zgjedhur për të studiuar një drejtim në të cilin numri i të diplomuarve që presin punë është shumë i madh.

 

Përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, z.Russel paraqiti një varg të dhënash nga puna e organizatës që ai drejton, aktivitetin e shumënduarshëm në Kosovë dhe të dhëna të ndryshme, si për lëvizjet e popullsisë, ashtu edhe për mundësitë e qytetarëve për punë.

 

Rektori UBT-së theksoi një varg përparësish dhe elementesh që e bëjnë atraktiv edukimin e nivelit akademik në Kosovë. Ai tha se UBT, si shkolla më e lartë e teknologjisë në Kosovë dhe në rajon, kujdeset në vazhdimësi që studentëve t’u ofrojë programe akademike, të cilat ata i përgatisin për të qenë konkurrues dhe dominues në tregun e punës.

 

Ndërsa Mimoza Nagavci nga ËIFI Shqipëria, që funksionon në bashkëpunim të ngushtë me institucionin me emër të njëjtë në Austri, përcolli përvojat e punës, sidomos në Shqipëri, nga viti 2000 e deri sot. Me theks të veçantë ajo përmendi trajnimet dhe certifikimet e ndryshme të ofruara në profesione specifike, siç është profesioni i salduesit, që ka dalë të jetë një profesion mjaft atraktiv, madje dhe për femra.

Përfaqësuesi nga IOM-i, Besian Bicurri theksoi një të dhënë interesante, sipas së cilës vetëm 40 për qind e emigrantëve në gjithë botën vijnë nga vendet e varfra, ndërsa 60 për qind janë nga vendet e zhvilluara, njerëz që ndërrojnë vendbanim, në kërkim të një jete tjetër.

Ai gjithashtu theksoi përfitimet që ka Kosova nga mjetet që vijnë nga kosovarët që ndodhen jashtë vendit, të cilët dërgojnë rreth 500 milionë euro, në transfere të ndryshme, pa llogaritur mjetet që i dërgojnë drejtpërdrejt në familje, që i bie se mjetet e dërguara janë shumë më shumë se të dhënat zyrtare.

Profesori në UBT, Armend Muja paraqiti një varg të dhënash lidhur me qëndrimet e qytetarëve të vendit tonë rreth largimit nga Kosova për një jetë më të mirë në shtete të tjera.

Ai theksoi se përqindja e atyre që duan të ikin është shumë e madhe dhe i çuditshëm është fakti se nuk duan të ikin vetëm ata që janë të papunë, por në shumë raste edhe ata që kanë një punë, për të cilën madje edhe janë të paguar mirë.


Z. Muja theksoi se, megjithëse ka pasur një rritje ekonomike, në Kosovë nuk janë krijuar vende të reja puna dhe kjo ka ndikuar që hendeku mes të varfërve dhe të pasurve të thellohet edhe më tej. Duke folur në temën e papunësisë, ai theksoi se zyrtarisht shkalla e papunësisë në Kosovë është 32 për qind, porse shkalla e papunësisë mes të rinjve është shumë e lartë dhe shkon deri në 60 për qind.


Por, tërhoqi vërejtjen ai, papunësia lidhet shumë me shkallën e arsimimit, që i bie se shkalla e papunësisë te të pashkolluarit është shumë më e lartë dhe kjo përqindje bie tek qytetarët me shkollim më të lartë.

 

Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen se shkollimi duhet të shkojë paralel me nevojat e ekonomisë, duke mos krijuar kuadro në profilet për të cilat nuk ka treg të punës, por për profilet për të cilat ende ka kërkesë të shtuar të tregut të punës.