
Poema Berisha: Nga studente e Sistemeve të Informacionit te Menaxhere e Produktit në HelloCare.ai
16/07/2025Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT, Poema Berisha, aktualisht Menaxhere e Produktit për platformën inovative HelloCare.ai, mbajti një ligjëratë tërheqëse me temën: “Menaxhimi i Produkteve IT: Cikli Jetësor i Produkteve”.
Si ish-studente e këtij fakulteti, Poema solli një perspektivë të veçantë, duke lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë njohuritë akademike me përvojën e saj profesionale. Ajo prezantoi fazat kyçe të zhvillimit të një produkti IT: identifikimin e kërkesave, prototipimin, testimin, menaxhimin e riskut dhe angazhimin e aktorëve relevantë (stakeholders).
Roli i saj në HelloCare.ai – një platformë ndërkombëtare për kujdesin shëndetësor virtual – u prezantua si studim rasti për pjesëmarrësit, duke demonstruar se si njohuritë akademike dhe aftësitë teknike mund të zbatohen në mënyrë konkrete për të kontribuar në zhvillimin e produkteve të suksesshme. HelloCare.ai operon aktualisht në disa prej sistemeve shëndetësore më të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky sesion solli në vëmendje lidhjen mes ëndrrës akademike të studentëve dhe realitetit profesional, ku Poema shërben si shembull suksesi – duke shndërruar njohuritë e fituara në fakultet në instrumente të vlefshme për inovacion dhe menaxhim produkti në industri.