
Përmbyllet me sukses Akademia Verore në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT – “Rimendimi i Hapësirës Publike”
22/07/2025UBT ka përmbyllur me sukses një nga aktivitetet më të rëndësishme akademike të verës – Akademinë Verore të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, që u zhvillua nga 08 deri më 17 korrik 2025, në UBT.
Me temën “Rimendimi i Hapësirës Publike” (Rethinking Public Space), kjo akademi solli së bashku studentë të fushës së arkitekturës, dizajnit urban dhe planifikimit hapësinor, në një përvojë intensive që ndërthurte punën praktike në studio, eksplorimin teorik dhe zhvillimin profesional në një mjedis ndërdisiplinor dhe bashkëkohor.
Qëllimi kryesor ishte angazhimi i studentëve në analiza reale të kontekstit urban dhe zhvillimi i zgjidhjeve projektuale për hapësirat publike të qytetit të Prishtinës, me fokus në përmirësimin e qasjes, multifunksionalitetit dhe integrimit me mjedisin natyror dhe social.
Studentët patën mundësinë të eksplorojnë tre zona urbane të ndryshme të kryeqytetit dhe të paraqesin idetë e tyre për zhvillim hapësinor në mënyrë profesionale, duke respektuar nevojat e komunitetit dhe kriteret urbane bashkëkohore.
Etapat e punës së studentëve përfshinë:
- Vëzhgime në terren dhe analiza të topografisë, funksionalitetit dhe ndikimeve sociale të parcelave të caktuara;
- Hartimi i projekteve konceptuale dhe zhvillimi i ideve funksionale e kreative për rikualifikim urban;
- Përgatitja e modeleve dixhitale dhe vizatimeve teknike, përfshirë planimetritë, fasadat, seksionet dhe skicat 3D;
- Draftimi i eseve shpjeguese për projektet, analiza të kontekstit dhe planifikim të kostos e menaxhimit të projekteve;
- Prezantime finale para profesorëve, kolegëve dhe profesionistëve, ku studentët shpalosën zgjidhjet e tyre me profesionalizëm të lartë.
Profesorët që ligjëruan përgjatë kësaj akademie ishin: Prof. Dr. Binak Beqaj, Prof. Dr. Egzon Bajraktari, Prof. Dr. Visar Krelani, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, Prof. Dr. Edon Maliqi, Dr. Blendian Nela, Dr. Beni Kizolli, MSc. Shqiprim Ahmeti, Phd cand. MSc. Anita Ymeri dhe Elvi Sidheri, shkrimtar dhe përkthyes.
Përveç aspektit akademik, kjo Akademi Verore, e cila u udhëhoq nga Prodekani i Fakultetit, Prof. Dr. Egzon Bajraktari, krijoi një hapësirë për bashkëpunim të ngushtë mes studentëve, zhvillim të aftësive prezantuese dhe përjetim të frymës së punës kolektive dhe ndërdisiplinore, të domosdoshme për profesionin e arkitektit në epokën moderne.
UBT, përmes qasjeve të tilla praktike dhe inovative, po dëshmon edhe një herë rolin e saj lider në arsimin e lartë në arkitekturë dhe urbanizëm, duke i përgatitur studentët për sfidat reale të transformimit urban dhe zhvillimit të qëndrueshëm.