
Përmbyllet me sukses Akademia Verore e Fakultetit Juridik – Një eksperiencë praktike dhe teorike për studentët
13/07/2025Më 11 korrik 2025, përmbylli aktivitetet e saj Akademia Verore e Fakultetit Juridik të UBT, organizuar nga prodekanja e Fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Egzone Osmanaj. Aktiviteti, i cili u zhvillua për pesë ditë radhazi, ofroi një përvojë intensive dhe gjithëpërfshirëse në fushën e ndërmjetësimit civil, penal dhe tregtar, duke përfshirë sesi teoritë përkthehen në praktikë.
Përmbyllja e Akademisë Verore u shoqërua me një vizitë studimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku studentët u pritën nga autoritete të larta të sistemit gjyqësor, përfshirë Kryetaren e Gjykatës, Albina Shabani Rama, Nënkryetaren Ilire Vitija, Administratori i Gjykatës, Shaban Gërxhaliu, dhe gjyqtarin e Departamentit Special, Ngadhnjim Arrni.
Gjatë takimit, u zhvillua një diskutim i thelluar mbi rëndësinë dhe rolin që ka ndërmjetësimi në procedurat civile, penale dhe tregtare, si dhe mbi aplikimin e tij në praktikën gjyqësore në Kosovë. Studentët patën mundësinë të mësojnë direkt nga profesionistët e sistemit gjyqësor dhe të kuptojnë përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar praktikat e ndërmjetësimit.
Vizita përfshiu një ekskursion në hapësirat e brendshme të Gjykatës Themelore, duke përfshirë sallat ku mbahen seancat gjyqësore, hapësirat administrative dhe qelitë e paraburgosurve. Ky vizitë u dha mundësinë studentëve të njoftoheshin nga afër me mënyrën se si funksionon sistemi gjyqësor në Kosovë, si dhe me procedurat që ndiqen për të garantuar drejtësinë për të gjithë qytetarët.
Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për lidhjen e studimeve akademike me praktikën profesionale, duke u dhënë studentëve një pasqyrë të thellë të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe të aplikimit të ndihmës ligjore në situata reale.
Akademia Verore e Fakultetit Juridik i UBT-së ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët që të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të forcojnë njohuritë e tyre përmes një kombinimi të teorisë dhe praktikës në fushën e ligjit.