Përfundoi me sukses ceremonia e certifikimit të 24 menaxherëve të BKT Kosova për “Data Science with AI”, e organizuar nga UBT
13/03/2026UBT organizoi ceremoninë e certifikimit për 24 menaxherë të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT Kosova), të cilët përfunduan me sukses programin profesional të trajnimit “Data Science with AI”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e njohurive në fushën e analizës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të UBT-së dhe BKT Kosova, ndër ta Rektori dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, CEO dhe Anëtari i Bordit në BKT Kosova Z. Suat Bakkal, si dhe Dr. Besnik Skenderi, Drejtor për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT.
Gjatë fjalës së tij, CEO i BKT Kosova, Z. Suat Bakkal, vlerësoi rëndësinë e programit në zhvillimin profesional të stafit dhe në rritjen e kapaciteteve analitike të bankës.
“Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi profesional ndërmjet BKT Kosova dhe UBT-së. Në të ardhmen presim që ky bashkëpunim të thellohet me projekte dhe iniciativa të tjera që do të kontribuojnë në avancimin e kapaciteteve tona në teknologji, inteligjencë artificiale dhe analizë të të dhënave”, theksoi ai.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në fjalën e tij përgëzoi pjesëmarrësit për përkushtimin dhe angazhimin e treguar gjatë programit, duke theksuar rëndësinë që kanë Data Science dhe Inteligjenca Artificiale në transformimin e sektorit financiar dhe të ekonomisë digjitale.
“Programet e tilla janë thelbësore për të përgatitur profesionistë që janë të gatshëm të përballen me sfidat e ekonomisë digjitale. Bashkëpunimi me institucione të rëndësishme financiare si BKT tregon përkushtimin e UBT-së për të ndërlidhur arsimin, teknologjinë dhe industrinë”, tha Rektori Hajrizi.
Ndërkaq, Dr. Besnik Skenderi, Drejtor për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, theksoi se programi është ndërtuar për të ofruar njohuri praktike dhe të aplikueshme në analizën e të dhënave dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në vendimmarrje.
“Qëllimi ynë është që përmes programeve profesionale të fuqizojmë menaxherët dhe profesionistët me aftësi konkrete në Data Science dhe AI, në mënyrë që ata të mund të përdorin të dhënat në mënyrë strategjike dhe të krijojnë vlerë për organizatat e tyre”, u shpreh Skenderi.
Pjesëmarrësit e programit vlerësuan lart cilësinë e trajnimit dhe përmbajtjen e avancuar të modulit, duke theksuar se njohuritë e fituara do t’i ndihmojnë drejtpërdrejt në punën e tyre të përditshme dhe në përmirësimin e proceseve vendimmarrëse në institucion.
“Programi ishte shumë praktik dhe i orientuar drejt zgjidhjeve reale që përballemi në punë. Ishte një përvojë shumë e vlefshme që na ndihmoi të kuptojmë më mirë potencialin e të dhënave dhe inteligjencës artificiale në sektorin bankar”, u shpreh një nga pjesëmarrësit.
Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave për 24 menaxherët pjesëmarrës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe sektorit bankar në Kosovë.


