Për herë të parë në Kosovë lansohet magazina “BLANK”, iniciativë që buron nga angazhimi akademik dhe kreativ i studentëve të UBT-së

18/12/2025

Industria kreative në Kosovë ka shënuar një moment të rëndësishëm me lansimin e magazinës “BLANK”, botimi i parë në vend i dedikuar kritikës profesionale të ekspozitave dhe ndërtimit të diskursit kritik në artin bashkëkohor. Kjo iniciativë inovative është rezultat i drejtpërdrejtë i qasjeve bashkëkohore të edukimit që aplikohen në UBT, ku teoria ndërthuret ngushtë me praktikën dhe krijimtarinë studentore.

Lansimi i kësaj magazine u prezantua në kuadër të lëndës “Mysafirë nga Industria” në UBT, një lëndë që synon lidhjen e studentëve me praktikat reale profesionale dhe zhvillimet aktuale të industrive kreative. Me këtë rast, si mysafir ishte Art Qibukqiu, student i Fakultetit të Artit dhe Mediave Digjitale (AMD) në UBT, i cili prezantoi konceptin, misionin dhe procesin e krijimit të magazinës BLANK, duke ndarë përvojën e tij me studentët dhe stafin akademik.

Magazina BLANK përfaqëson një platformë të re kritike që synon të analizojë dhe vlerësojë ekspozitat, praktikat artistike dhe kuratoriale në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në profesionalizimin e shkrimit kritik dhe debatit kulturor.

Në këtë botim janë të përfshirë edhe studentë të tjerë të Fakultetit të Artit dhe Mediave Digjitale në UBT, përkatësisht Rea Kurtaj, Bora Banishta dhe Diellza Salicana, duke reflektuar angazhimin aktiv të studentëve të UBT-së në krijimin e përmbajtjeve profesionale dhe kritike, si dhe rolin e universitetit në fuqizimin e talenteve të reja.