Osnat Lubran ligjëroi për “Historinë, organizimin dhe funksionimin e Kombeve të Bashkuara”

23/12/2009

                                                

22 dhjetor. – Udhëheqësja e UN Kosovo Team (UNKT), zonja Osnat Lubran ka mbajtur sot në UBT ligjëratën në temën “Historia, organizimi dhe funksionimi i Kombeve të Bashkuara”.
Para profesorëve, studentëve dhe të mysafirëve të tjerë, zonja Lubran ka folur në hollësi për historikun e Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga themelimi, puna e këtij mekanizmi e deri te roli i saj në politikën moderne botërore në ditët e sotme.

Zonja Lubran ka elaboruar fillimisht periudhën e formimit të Kombeve të Bashkuara, pas Luftës së Dytë Botërore, kur formimi i një institucioni të tillë pothuaj doli si domosdoshmëri e kohës dhe se ajo ishte menduar si një lloj ombrelle për zgjidhjen e të gjitha problemeve në botë, të cilat nuk ishin të vogla për gjithë këto dekada.
Në vijim ajo foli edhe për funksionet e gjithanshme të kësaj organizate, veprimtaria e të cilit mundësohet përmes mekanizmave të KB-ve, si dhe elaboroi rolin dhe funksionin e secilit organ të Kombeve të Bashkuara.

Një theks të veçantë në ligjëratën e saj zonja Lubran ia kushtoi rolit të Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke folur në detaje për rëndësinë e angazhimit të këtij institucioni në të kaluarën dhe rolit që do të ketë kjo organizatë në të ardhmen për vendin tonë.

Ajo gjithashtu theksoi se Kombet e Bashkuara kanë një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, pas dështimit të zgjidhjes së statusit final të Kosovës në kuadër të kësaj organizate dhe shpalljes së pavarësisë së vendit më 17 shkurt 2008 e njohjes së Republikës së Kosovës deri tash nga 64 shtete.