Çollaku: Politika nuk mund të funksionojë pa një mekanizëm të madh mbështetës komunikues

25/01/2017

Studentët e vitit të tretë të drejtimit Media dhe Komunikim në UBT, kanë dëgjuar ligjëratë tematike më titull “Mediat dhe politika”, nga analisti politik, njëherësh edhe kryeredaktori i gazetës “Blic”, Adrian Çollaku.

Në kuadër të kësaj ligjërate, Çollaku ka thënë se politika, sidomos në vendet e rajonit që kaluan një proces tranzicioni, nuk mund të funksionojnë pa një mekanizëm të madh mbështetës komunikues.


Ai tha se politika është e koncentruar për të ndikuar në media, në mënyrë që të krijohet opinioni mbështetës në realizimin e programeve të tyre politike e shtetërore.

“Roli i mediave është shumë i rëndësishëm, sidomos në fushata elektorale, sepse gjatë kësaj periudhe partitë politike e kandidatët fokusohen tek mediat e rrjetet sociale, për të ndikuar në ndryshim ose formim të bindjeve partiake”, është shprehur Çollaku.


Tutje, ai vlerësoi se lidhshmëria e medias me politikën ndikon që kjo e para të publikojë vetëm aspektet pozitive të veprimtarisë së institucioneve përkatëse, madje sipas tij, financimi politik ka ndikuar jashtëzakonisht që media të ndryshojë politikën editoriale.

“Kemi shpesh bashkëjetesë në mes mediave dhe politikës, publikohen vetëm aspektet pozitive të institucioneve, por jo edhe ato negative”, ka thënë Çollaku, për të shtuar se “elita shoqërore dhe ekonomike në Kosovë është shumë e heshtur për të ndikuar në opinion, në krahasim me vendet që janë në demokraci qe një kohë të gjatë”.

Duke i këshilluar studentët për mënyrën e të bërit gazetari, ai konsideroi se përmes sistemit të edukimit, rritet edhe cilësia e lexuesve, e që për këtë proces përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet vendore.

Në fund të ligjëratës, studentët parashtruan pyetje në lidhje me profesionalizmin e mediave kosovare, ndikimin e rrjeteve sociale në ushtrimin e profesionit të gazetarisë, për etikën e gazetarëve, për dallimin e mediave vendore nga ato ndërkombëtare etj.