Nisi punimet Akademia Veror 2013

02/07/2013

Në UBT u bë hapja solemne e Akademisë Verore 2013

 

 

Prishtinë, 02 korrik 2013 – UBT në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha departamentet, stafin akademik dhe ekspertë të shumët, për herë të dytë ka organizuar “Akademinë Verore 2013”, i cili është aktivitet unik dhe atë në nivel vendorë dhe ndërkombëtarë.

 

 

Në këtë aktivitet, në të cilin ishin të pranishëm studentë e profesorë të UBT-së, përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës, ekspertë nga fusha e ndërmarrësisë dhe mysafirë të tjerë, zëvendëspresidenti i UBT-së, prof. dr. Mo Vaziri, ka thënë se “ky aktivitet është pjesë e planit tradicional dhe strategjik të UBT-së, për t’i plotësuar studimet tona më bashkëkohore si për nga përmbajtja dhe ushtrime praktike dhe vizita të shumta te komuniteti i biznesit”. “UBT-ja si mision të vetin ka ofrimin e studimeve të shekullit XXI dhe kjo akademi është një shembull i përpjekjeve të tilla”, ka theksuar ai.

 

 

Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Fadil Ismajl është shprehur se “sot në vendin tonë ka një rini bukur të madhe dhe të gatshme për punë, gjithashtu ka edhe një ambient të mirë për investime”. “Ne si qeveri jemi të përkushtuar t’i ndihmojmë dhe t’i përkrahim të gjithë ndërmarrësit kosovarë për ndryshime për të mirën e këtij vendi”, ka thënë ai, duke shtuar se në UBT, studentët marrin edukim cilësor, të cilët në një të ardhme të afërt mund të bëjnë ndryshime pozitive dhe të ndikojnë direkt në rritjen e mirëqenies së përgjithshme.

 

 

Edhe prof. Engelbert Selenko, ka theksuar se ky aktivitet ka për qëllim që pjesëmarrësve t’jua ofrojë një program të ndërmarrësisë inovative si dhe do t’ju mundësojë të zbulojnë ide të reja për produkte dhe njohuri të mirëfillta për zhvillimin e suksesshëm të këtyre produkteve”.

 

 

 

Nita Abrashi, koordinatore e këtij aktiviteti, ka bërë me dije se gjatë ligjëratave pjesëmarrësit e akademisë do të punojnë në grupe të vogla, të cilat do të hartojnë ide të reja për produkte dhe biznese. “Po ashtu vizitat në terren do t’ju mundësojnë t’i njohin operimet e kompanive si dhe procesin e krijimit të tyre, pastaj do të mbahen edhe dëgjime nga rrëfimet e disa ndërmarrësve të suksesshëm vendorë. Ata do të takohen me ndërmarrës që operojnë në Kosovë dhe kështu do të kenë mundësi ta dëgjojnë nisjen e suksesshëm të bizneseve të tyre”, ka theksuar ajo.

 

 

 

Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti do të marrin aftësi për koncepte të ndryshme të ndërmarresisë, për krijimin e ndërmarrjeve dhe produkteve të reja, zhvillimin e organizatave, karakteristikat e bizneseve familjare, gjetjen e kapitalit, hartimin e biznesplaneve të frytshme dhe njohjen lokale e globale e ndërmarrësve.

 

 

 

Ky aktivitet është financuar nga UBT-ja dhe punimet e tij do të ndiqen gjatë muajit korrik 2013, paralelisht në të gjitha fakultetet. Përveç tjerash përfshihen udhëtime të ndryshme në terren, me ç’rast do të vizitohen ndërmarrësit më të suksesshëm në tregun e Kosovës dhe në fund të punimeve pjesëmarrësve do t’u shpërndahen edhe certifikata.