
Ngjarja artistike “Saldimi i Librave” sjell bashkim poetik, vizual dhe performativ në UBT
28/05/2025Më 28 maj, ambientet e UBT-së në Lipjan do të jenë mikpritëse e një ngjarjeje të veçantë artistike me karakter multidisiplinar, të titulluar “Saldimi i Librave”. Kjo ngjarje synon të ndërthurë poezinë, performancën dhe artin vizual në një mesazh të fuqishëm simbolik: “1+1=11”, duke ftuar të pranishmit në reflektim mbi fuqinë e bashkimit, krijimit dhe ndjeshmërisë së brendshme.
Programi nis në ora 11:30, në hapësirat e Bibliotekës së UBT-së, me një Lexim Skenik, ku artistët do të interpretojnë poezi dhe tekste që shprehin emocione të thella njerëzore dhe ide kreative.
Më pas, në ora 12:00, në Objektin I, do të hapet një Ekspozitë Artistike, ku do të prezantohen punime të realizuara posaçërisht për këtë projekt.
Ngjarja është konceptuar nga profesori Orhan Kerkezi, ndërsa dizajni dhe ilustrimet janë punuar nga Deniza Gafuri. Në këtë aktivitet marrin pjesë një grup i talentuar studentësh dhe artistësh të rinj: Deniza Gafuri, Dimër, Berna Kosova, Jona Brahimi, Art Çibukçiu, Rea Dana, Diellza Salicana, Arjona Aliu, Dëshira Bytyçi, Olt Broqi dhe Melisa Mustafa.
“Saldimi i Librave” është një thirrje për të bashkuar fjalën dhe figurën në një formë të re komunikimi artistik, që sfidon mendimin tradicional dhe shtron pyetje mbi identitetin, kolektivitetin dhe ndjeshmërinë në kohën moderne.