Nga UBT përçohet mesazhi për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve

bool(false) 28/04/2022

Me një minutë heshtje në nderim të viktimave që kanë vdekur në vendin e punës, ka filluar tryeza e rrumbullakët e organizuar nga Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, e që për temë kishte sigurinë dhe shëndetin në punë.

 

Kjo tryezë, e cila u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare për Siguri dhe Shëndet në Punë, mblodhi akterë të ndryshëm institucional dhe ekspertë të kësaj lëmie nga UBT, që sivjet trajtoi temën: “Veproni së bashku për të ndërtuar një kulturë pozitive sigurie dhe shëndeti”.

 

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, u diskutua për shumë aspekte të sigurisë dhe shëndetit në punë, gjendjes në terren, rreth statistikave për aksidentet në punë, rolin e vetëdijes qytetare, e për detaje të tjera shumë të rëndësishme që ndërlidhni sigurinë dhe shëndetin me punën.

 

Ndër të tjera, pjesëmarrësit e kësaj tryeze të rrumbullakët, potencuan rolin e madh që ka edukimi i punëtorëve dhe kompanive në të njëjtën kohë për këtë çështje, teksa u bë thirrje që të rritet numri i inspektorëve, si dhe të bëhet një fushatë për evidentimin më të saktë të rasteve me fatalitet në vendin e punës.

 

Pjesëmarrësit inkurajuan që organizimet e tilla të jenë më të shpeshta, në mënyrë që të rritet vetëdija, si dhe të krijohet një praktikë e mirë që të përçohet një mesazh vazhdimisht tek kompanitë, punëtorët dhe organet gjegjëse.