
Nga UBT në Departamentin Amerikan të Shtetit, ish-studentja Teuta Agushi bëhet pjesë e ekipit diplomatik në Ambasadën e Kosovës në ShBA
24/07/2025Rrugëtimi profesional i Teuta Agushit, ish-studente e Shkencave Politike në UBT, është shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të kenë një karrierë në botën e diplomacisë dhe sigurisë ndërkombëtare.
Me përgatitje akademike cilësore dhe përkushtim, ajo arriti të jetë pjesë e prezencës diplomatike të Kosovës në Washington, D.C., duke kontribuar në një fushë tejet të ndjeshme dhe moderne – diplomacia digjitale dhe siguria kibernetike.
Pasi përfundoi studimet në UBT, Teuta vazhdoi rrugëtimin e saj profesional në një nga qendrat më të rëndësishme të diplomacisë botërore – në Washington, D.C., ku ishte pjesë e prezencës diplomatike të Kosovës. Ajo përmbylli me sukses një angazhim njëvjeçar si Zyrtare Ndërlidhëse në Byronë për Politika Kibernetike dhe Digjitale, në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kontributi i saj në fushën gjithnjë në zhvillim të diplomacisë digjitale dhe sigurisë kibernetike është vlerësuar zyrtarisht nga ky institucion amerikan, duke dëshmuar profesionalizmin dhe përgatitjen që ajo mori që nga ditët e para në UBT.
Sot, Teuta është pjesë e ekipit diplomatik të Ambasadës së Kosovës në ShBA, ku do të vazhdojë misionin e saj diplomatik për të përfaqësuar vendin me dinjitet, vizion dhe përkushtim.