Nga Kahoot te WebQuest: studentët e UBT prezantojnë zgjidhje digjitale për mësimin e anglishtes
07/03/2026Në kuadër të lëndës Computer-Assisted Language Learning (CALL) në Fakultetin e Gjuhës Angleze në UBT u organizua një punëtori prezantuese, e cila shërbeu si një platformë për të shfaqur kreativitetin pedagogjik, aftësitë digjitale dhe angazhimin komunitar të studentëve. Aktiviteti kishte për qëllim të demonstrojë se si qasjet e mbështetura në teknologji mund të integrohen në mënyrë efektive në mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës angleze.

Gjatë punëtorisë, studentët prezantuan scrapbook-e që përfaqësonin 12 tema nga plani mësimor, duke përfshirë materiale autentike dhe kreative të dizajnuara për zhvillimin e katër aftësive gjuhësore: dëgjim, të folur, lexim dhe shkrim. Këto materiale pasqyruan ndërthurjen e metodave tradicionale me ato digjitale në procesin e mësimdhënies.
Studentët prezantuan gjithashtu wiki, faqe interneti dhe aplikacione edukative që ndihmojnë në nxënien e gjuhës, duke shpjeguar përdorimin e tyre praktik në klasë dhe përfitimet që ato ofrojnë për nivele të ndryshme të nxënësve. Për më tepër, ata realizuan edhe intervista në komunitet, me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, traditave dhe bizneseve lokale, duke forcuar lidhjen mes nxënies së gjuhës dhe konteksteve reale shoqërore.
Si pjesë e rezultateve të lëndës CALL, studentët demonstruan lojëra dhe aktivitete digjitale interaktive të krijuara përmes mjeteve si Kahoot, Socrative, Quizlet, Jeopardy dhe aplikacione të inteligjencës artificiale, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të nxënësve, motivimit dhe vlerësimit formativ në procesin mësimor.
Një tjetër komponent i projektit ishte edhe dizajnimi i fletëpalosjeve edukative, të cilat inkurajojnë nxënësit të “mbështesin lokalen (go local)”. Këto materiale përfshinin kode QR që lidhen drejtpërdrejt me burime digjitale, intervista dhe materiale të krijuara nga vetë studentët.
Gjithashtu, studentët demonstruan aftësitë e tyre në krijimin e WebQuest-eve dhe kurseve online, duke theksuar rëndësinë e nxënies së strukturuar dhe kërkimore të mbështetur nga teknologjia. Në këtë kuadër, ata hartuan edhe objektiva të qarta mësimore të bazuara në Taksonominë e Bloom-it, duke siguruar që aktivitetet mësimore të përfshijnë nivele të ndryshme të të menduarit dhe zhvillimit njohës.
Në tërësi, punëtoria dëshmoi një integrim të suksesshëm të teknologjisë, pedagogjisë dhe mësimit të bazuar në komunitet, duke reflektuar objektivat kryesore të lëndës CALL dhe duke theksuar rëndësinë e shkathtësive digjitale, kreativitetit dhe përvojave kuptimplota të të nxënit në mësimdhënien bashkëkohore të gjuhës angleze.


