Në UBT u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Naim Krasniqi
05/03/2026Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt Mbledhja Komemorative në nderim të jetës dhe veprës së profesorit të ndjerë Naim Krasniqi, duke bërë bashkë familjarë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të institucioneve për të kujtuar kontributin e tij të çmuar akademik dhe profesional.
Ceremonia u hap me fjalën e Rektorit të UBT-së, Edmond Hajrizi, i cili theksoi se profesor Naim Krasniqi do të kujtohet si një akademik i përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë, i cili kontribuoi në formimin e shumë gjeneratave të studentëve dhe në zhvillimin e fushës së bujqësisë në vend.

“Profesori Naim Krasniqi ishte një figurë që la gjurmë të thella në komunitetin akademik dhe në shoqëri. Përmes punës së tij të palodhshme, ai kontribuoi në ngritjen e dijes dhe në fuqizimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë”, theksoi Rektori Hajrizi.
Dekani i Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, Prof. Ass. Dr. Fidan Feka e përshkroi atë si një koleg të dashamirës dhe një studiues të përkushtuar, duke theksuar se ai ishte një shembull i rrallë i përulësisë dhe profesionalizmit në komunitetin akademik.
Në kuadër të Mbledhjes Komemorative, fjalë përkujtimore mbajtën edhe profesori Kujtim Lepaja, publicisti Berat Miftari dhe profesori Imer Rusinovci, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për jetën dhe veprën e profesorit Krasniqi.
Në fund të ceremonisë morën fjalën edhe familjarët e të ndjerit, Rina Krasniqi dhe djali i profesorit Krasniqi, të cilët falënderuan të pranishmit për respektin dhe vlerësimin e treguar ndaj figurës së profesorit Naim Krasniqi.







