Në UBT u kremtua për sukseset e mëdha të vitit 2023

16/12/2023

Me prezencën e Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, të profesorëve, stafit akademik dhe administrativ, studentëve dhe mysafirëve të tjerë, me një ceremoni solemne u kremtua për sukseset e mëdha të vitit 2023, një vit që shënoi arritje të jashtëzakonshme të UBT-së në fusha të ndryshme.

Të gjitha këto suksese u shënuan falë angazhimit dhe përkushtimit të stafit akademik dhe atij administrativ, që sipas rektorit Hajrizi, dëshmon se UBT-ja është vlerë e përbashkët e të gjithë atyre që kontribuojnë për të ndërtuar këtë ekosistem të dijes dhe inovacionit.

“Sikurse vite të tjera, edhe ky vit dëshmoi se UBT mbetet një institucion i madh gjithëpërfshirës i kërkimit dhe studimit, që për mision ka edukimin e liderëve që ndryshojnë komunitetin, duke bërë zbulime që ndryshojnë vendin dhe botën. UBT gjatë këtij viti u prezantua në shumë konferenca ndërkombëtare si institucion model në zhvillimin dhe ndërtimin e një ekosistemi inovativ duke përfshirë koncepte të reja të tilla si inovacioni, sipërmarrja, përgjegjësia dhe menaxhimi i krizave”, ka thënë mes tjerash rektori Hajrizi.

Pas një investimi milionësh të bërë nga UBT, Kosova këtë vit është bërë zyrtarisht me qendrën e parë ekselente për mësimdhënie që mbështetin kompetencat dhe aftësitë e së ardhmes “UBT Excellence Learning Center for Future Competences”.

Falë UBT-së, Kosova vendoset në rrjetin më të rëndësishëm të Organizatës Botërore të Laboratorëve dhe Shkencës së Ndërtimtarisë – RILEM. UBT u rangua institucioni i pari nga universitetet në Kosovë për aktivitetin në media sociale nga kompania izraelite “TerraWorld”, duke vendosur një standard shembullor për universitetet e tjera në Kosovë.

UBT është bërë institucioni i parë në Kosovë dhe regjion që vlerësohet në Barcelona të Spanjës vlerësohet me çmimin “Europian Young Entrepreneurial University of the Year”, për konceptet dhe strategjinë unike që ka zhvilluar, rezultatet dhe ndikimin në shoqëri, si dhe për rolin udhëheqës dhe lidershipin në shkencë, teknologji dhe inovacion.

Gjithashtu ishim në krye të listave si Institucionet kryesore të shkencës sipas Kosovo National H-Index Ranking. Kosova anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive

Gjatë këtij viti u vlerësuam me çmimin “Pioneers Awards”, në Konferencën e 8-të Globale të Inovacionit dhe Ekselencës, që u mbajt në Dubai. Gjithashtu u vlerësuam me Medaljen e Artë për Merita nga Federata Panshqiptare “VATRA”.

Gjithashtu, për kontributin e dhënë ndër vite, UBT nderoi me mirënjohje punëtorët që për dhjetë vjet i qëndruan besnikë dhe kontribuuan për institucionin: Arsim Murseli, Artan Behluli, Bashkim Ferati, Besa Jagxhiu, Besnik Qehaja, Bislim Krasniqi, Diellza Berisha, Egzon Berisha, Fatime Tahiri, Gjylije Rexha, Halil Bashota, Lavdim Menxhiqi, Musa Sabedini, Ridvan Peshkopia, Teuta Ahmeti – Binaku, Zhilbert Tafa, Gazmend Krasniqi dhe Prof. Selmon Berisha – i njohur për të gjithë si Aga Mon, njeriu i cili mbushi këtë vit dy dekada në UBT, duke qenë afër studentëve dhe stafit, për të dëshmuar që me vullnet dhe dëshirë çdo punë niset dhe përfundohet me sukses.