Në UBT Smart City u mbajt Ceremonia e Diplomimit të Gjeneratës së Dytë të Maturantëve të UBT International Smart Schools

01/06/2025

Në një atmosferë festive dhe emocionuese, në kampusin inovativ të UBT Smart City u mbajt Ceremonia e Diplomimit për gjeneratën e dytë të maturantëve të UBT International Smart Schools. Kjo ngjarje shënoi një moment të veçantë për 87 maturantë të cilët përfunduan me sukses një kapitull të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre arsimor dhe profesional.

Ceremonia u zhvillua në prani të figurave të larta të arsimit, institucioneve publike dhe komunitetit, përfshirë Presidentin dhe Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Drejtoreshën e UBT International Smart Schools, Hajrije Devetaku – Gojani, anëtarë të bordit të shkollës, si dhe mysafirë të nderuar si Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Drejtori i Policisë së Republikës së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini.

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e një arsimi të bazuar në inovacion dhe teknologji, duke vënë në dukje se UBT International Smart Schools përfaqësojnë një model të avancuar të shkollimit modern që përgatit gjenerata të gatshme për sfidat globale. Ai falënderoi prindërit dhe mësimdhënësit për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të nxënësve.

“Ju jeni gjenerata që jeni rritur me standardet më të larta arsimore, të lidhura drejtpërdrejt me nevojat reale të tregut të punës dhe me trendet globale në edukim, teknologji dhe biznes. Ju jeni pasqyra më e mirë e misionit tonë – për të zhvilluar liderët e së ardhmes dhe profesionistë të aftë, me dije të thellë, shkathtësi konkrete dhe me vetëbesimin për të ndikuar pozitivisht në shoqëri”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Drejtoresha e UBT International Smart Schools, Hajrije Devetaku – Gojani, u shpreh krenare për arritjet e maturantëve dhe vuri në dukje se përkushtimi i tyre dhe metodologjia unike e mësimdhënies që ofron shkolla, ka ndikuar në formimin e një baze të fortë për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.

Një ndër folësit kryesorë të kësaj ceremonie ishte Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili në fjalën e tij drejtuar maturantëve theksoi rëndësinë e arsimimit cilësor si bazë për ndërtimin e një shoqërie të avancuar dhe të drejtë. Ai përgëzoi të diplomuarit për arritjet e tyre dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të kultivojnë njohuritë, kreativitetin dhe përgjegjësinë qytetare, duke theksuar se të rinjtë janë forca më e madhe për ndryshim dhe zhvillim në Kosovë.

Maturantët u përshëndetën gjithashtu edhe nga përfaqësues të institucioneve publike të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit të arsimit dhe institucioneve shtetërore për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për të rinjtë e Kosovës.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen e diplomave dhe çmimeve për nxënësit më të dalluar, ndërkohë që emocionet dhe krenaria nuk munguan as nga prindërit dhe familjarët të cilët ndoqën me entuziazëm çdo moment të kësaj dite të veçantë.

UBT International Smart Schools vazhdojnë të jenë një shembull i edukimit cilësor, duke përgatitur të rinjtë për të qenë qytetarë të denjë dhe kontribuues aktivë në shoqërinë moderne.