Në UBT nisi punimet Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion

29/10/2022

Në një ceremoni solemne në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së është bërë hapja e edicionit të 11-të të Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion, në të cilën përmes sesioneve për fusha të ndryshme do të prezantohen punime shkencore të ekspertëve, profesorëve dhe studentëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi në fjalën e tij hyrëse tha se ky organizim për të 11-tën herë tregon punën dhe angazhimin e gjithsecilit për të kontribuuar në shkencë, teknologji, biznes dhe inovacion, përmes hulumtimeve, punimeve dhe botimeve shkencore.

“Ne kemi krijuar një kornizë të mirë për arsimin, kemi krijuar kornizë moderne të infrastrukturës, kemi një numrim të madh të njerëzve, ajo që na duhet është që të bëjmë më shumë drejt gjenerimit më të madh të punimeve dhe botimeve për fusha të ndryshme në vitet e ardhshme. Kjo konferencë është dëshmia më e mirë për kontributin dhe punën tonë në produktivitetin dhe kualitetin në dije përmes publikimeve dhe gjetjeve shkencore”, ka thënë rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi prezantoi rreth të arriturave të UBT-së në këtë drejtim, duke treguar potencialin e të gjeturave dhe hulumtimeve të ndryshme nga profesorët dhe studentët, si dhe radhitjen e punimeve të tyre në organizata dhe revista shkencore e inovative.

Profesori ndërkombëtar nga Universiteti i shkencave të Aplikuara në Vjenë, Ëerner Hadiger, duke vlerësuar këtë konferencë bëri një prezantim rreth ekonomisë dhe politikës së zhvillimit të qëndrueshëm, duke potencuar dallimet epistemologjike dhe hendekun midis ekonomisë dhe politikës së zhvillimit të qëndrueshëm.

“Zhvillimi i qëndrueshëm ka një rëndësi të madhe dhe plotëson nevojat e së tashmes dhe aftësinë e brezave të ardhshme për të përmbushur nevojat e tyre. Një proces në të cilin shfrytëzimi i përsëritjeve, drejtimi i investimeve, orientimi i zhvillimit teknologjik dhe ndryshimi institucional janë të gjitha në harmoni, e që rritin kështu potencialin aktual dhe të ardhshëm për të përmbushur nevojat dhe aspiratat njerëzore”, ka thënë profesori Hadiger.

Ndër të tjera, profesoresha Dr. Shannon Bruce – Ramaka, përmes një adresimi online foli dhe prezantoi rëndësinë e unifikimit të ekipeve për hulumtime të ndryshme dhe krijimit të proceseve që prodhojnë produkte më cilësore.

“Ekipet janë të vlefshme për punën në hulumtime dhe është shumë e dobishme që të kontribuohet në këtë drejtim. Ekipet krijojnë procese që e bëjnë më të sigurt dhe më cilësor prodhimin, duke bërë kështu që personat që përbëjnë ekipin të mësojnë nga njëri-tjetri”, ka thënë profesoresha Bruce – Ramaka.

Konferenca Ndërkombëtare për Shkencë, Teknologji, Biznes dhe Inovacion po vazhdon punimet dhe si qëllim kryesor ka lidhjen dhe ndërveprimin e shkencëtarëve me praktikues nga disiplina të ndryshme, në mënyrë që t’i bëjë ata të vetëdijshëm për arritjet e fundit në fusha të ndryshme kërkimore, si dhe t’iu ofrojë një vend dhe forum unik për të ndarë përvojat dhe idetë e tyre.