Në UBT nis workshop-i ndërkombëtar në fushën e arkitekturës

23/03/2026

Në UBT ka nisur një workshop i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili po bashkon ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, në kuadër të një bashkëpunimi akademik.

Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, Dekani i Studimeve në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në TU Wien, Thomas Dillinger, si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës në UBT, Binak Beqaj.

Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në periudhën kur vendi po ndërtonte institucionet dhe një sistem modern arsimor.

Rektori Edmond Hajrizi ndau me të pranishmit një nga momentet më domethënëse të rrugëtimit të programit të arkitekturës në UBT.

“Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për mua që të kthehesha në Kosovë, në një kohë kur vendi po ndërtonte shoqërinë, shtetin, institucionet dhe sistemin e ri arsimor. Në këtë kontekst, e pashë si thelbësore të sillja përvojën time nga Vjena dhe të nisja një program të ri, fillimisht me vetëm shtatë studentë. Sot, UBT ka mbi 1300 studentë. Me mbështetjen e Universitetit Teknik të Vjenës, hapja e programit të parë master në arkitekturë dhe planifikim hapësinor në vitet 2007–2008 ishte një hap i guximshëm, që ka lënë gjurmë të qëndrueshme”, tregoi rektori Hajrizi.

Kjo javë pune dhe workshop-i synojnë të forcojnë bashkëpunimin akademik, të nxisin shkëmbimin e përvojave profesionale dhe të avancojnë programet studimore në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, është përfshirë edhe tema e planifikimit të parqeve kombëtare në Kosovë dhe Austri për zhvillim të qëndrueshëm të tyre. Pjesa e parë e workshop-it po zhvillohet në Kosovë, me fokus në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ndërsa pjesa e dytë do të zhvillohet në TU Wien, me fokus në Donau-Auen National Park në Vjenë.

Workshop-i ka mbledhur studentë, profesorë dhe ekspertë të fushës së arkitekturës dhe planifikimit hapësinor, duke krijuar një platformë bashkëpunimi për trajtimin e sfidave urbane dhe zhvillimin e ideve inovative për qytetet.

Në kuadër të aktiviteteve, pjesëmarrësit janë duke punuar në analiza konkrete të hapësirave urbane të Pejës, duke propozuar zgjidhje të qëndrueshme dhe moderne në përputhje me standardet evropiane të planifikimit urban. Ky bashkëpunim ndërkombëtar synon të forcojë shkëmbimin e njohurive dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve në Kosovë.