Në UBT mbylli punimet konferenca “Udhëheqja dhe Menaxhimi në Kosovë – Edukimi, Biznesi dhe Teknologjia”

11/06/2019

UBT ishte nikoqir i edicionit të katërt të konferencës ndërkombëtare, “Udhëheqja dhe Menaxhimi në Kosovë – Edukimi, Biznesi dhe Teknologjia”, që u organizua nga UBT, Shkolla Ndërkombëtare për Studime Sociale dhe të Biznesit, në Slloveni, dhe Universiteti i Prishtinës.

 

Pesha e tematikës së kësaj konference mblodhi dhjetëra njerëz nga akademia, përfaqësues institucionesh dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët diskutuan mbi përshtatjen e shoqërisë me zhvillimet dhe ndikimin e teknologjisë dhe digjitalizimit në fushën e edukimit, si dhe përshtatjen e tyre me nevojat e shoqërisë moderne.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi tha se një konferencë e tillë do të shërbejë si platformë e shkëmbimit të përvojave dhe e ndërlidhjes së teknologjisë dhe biznesit me fushën e edukimit.

“Ne duhet të mendojmë se si të orientojmë edukimin në një kohë kur digjitalizimi po përhapet masivisht edhe në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që t’i kombinojmë dhe ndërlidhim këto fusha sepse momentalisht jemi duke jetuar në revolucionin e konvergjencës dhe njohurive digjitale”, tregoi Hajrizi.

 

Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj u shpreh i lumtur me atë që ka arritur Kosova përgjatë këtyre viteve, sidomos në fushën e edukimit, teksa tregoi që Sllovenia do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Kosovën, veçanërisht përmes bashkëpunimit në kuadër të projekteve të përbashkëta.

Aktualisht në Slloveni janë duke studiuar rreth 2000 studentë kosovarë. Megjithatë, po synojmë që bashkëpunimin tonë ta zgjerojmë në aspektin shkencor, sepse me eksperiencën tonë të përbashkët do të jemi në gjendje të japim zgjidhje mbi problemet që po i preokupojnë shoqëritë tona moderne”, potencoi ambasadori Bertoncelj.

 

Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, prof. dr. Ethem Çeku theksoi se kjo konferencë është formë e paraqitjes dhe shkëmbimit të mendimeve, por sidomos për gjetjen e formave që të kalohen sfidat me të cilat po përballet sistemi arsimor në Kosovë.

“Ne si fakultet kemi bërë ndryshime të shumta, në përpjekje që t’i përshtatemi nevojave të tregut kosovar të punës, por edhe kërkesave që ta përshtatim arsimin në Kosovë me atë që po zhvillohet në botë”, përfundoi ai.

 

Themeluesi i Shkollës Ndërkombëtare për Studime Sociale dhe të Biznesit, në Slloveni, prof. dr. Dušan Lesjak tha se është i kënaqur me bashkëpunimin e ndërmjet tri institucioneve, duke u fokusuar gjithmonë në përmirësimin e nivelit të arsimit në Kosovë.

“Vetëm përmes krijimit të objektivave të përbashkëta mund të adresojmë sfidat e arsimit sot, por edhe mundësitë që lindim prej tij”, konstatoi Lesjak.

 

Sesioni i parë i kësaj konference u zhvillua me prezantimin e hulumtimeve dhe punimeve shkencore, nën temën: “Udhëheqja në edukim”, në të cilën prezantuan tematikat:

“Cilësia në edukim për zhvillim të qëndrueshëm – Nevoja për edukim të ri”, nga prof. dr. Edmond Hajrizi dhe dr. Dugagjin Sokoli, “Edukimi për zhvillimin ekonomik në Kosovë”, nga prof. dr. Ethem Çeku dhe prof. dr. But Dedaj, “Udhëheqja për të mësuar dhe cilësia në mësimdhënie”, nga prof. dr. Nada Trunk Širca dhe Andrej Koren, nga Sllovenia.

 

Sesioni i dytë i konferencës përfshiu punimet “CAPSIM – Standardi i ri në të mësuarit e biznesit” nga Carlos Gutierrez, “Ndikimi i kapitalit institucional dhe njerëzor në performancën ekonomike: Prova nga Ballkani Perëndimor”  nga Armend Muja dhe “Sfidat në vendet e punës në Evropë” nga prof.. dr. Dušan Lesjak.

 

Në sesionin e fundit të konferencës u prezantuan temat “Zhvillimi i qëndrueshëm në Kosovë – Një cikël i normave, politikave dhe realitetit” nga Zeqir Veselaj, “Niveli i kuptimit dhe implementimi i standardeve të praktikave profesionale për udhëheqësit e shkollave në Kosovë: Studim në standardin “Cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies” nga Fatjona Bislimi dhe Osman Buleshkaj, “Rishikimi dhe analizimi i librave shkollorë nga klasa e parë deri në të pestën, për të mbështetur zhvillimin e mendimit kritik tek nxënësit” nga Mensur Neziri, “Analizimi i faktorëve që e ndikojnë përzgjedhjen e fushës së studimit: Rasti i Fakultetit të Edikimit në UP” nga Anton Gojani dhe Hajrije Devetaku, si dhe “Ndikimi i ESP-së në studentët e nivelit master, pas përfshirjes në syllabusin e Fakultetit të Edukatës Fizike dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës” nga Osman Osmani.

 

Konferenca u përmbyll me diskutim, në të cilin i përfshinë të pranishmit, të cilët parashtruan pyetje të shumta lidhur me zhvillimin e sektorit të edukimit në Kosovë, teksa pjesëmarrësit u certifikuan për kontributin e dhënë dhe për pjesëmarrjen e suksesshme në konferencë.