Në UBT do të organizohet Konferenca Ndërkombëtare “TURK-COSE 2025” me pjesëmarrje nga pesë shtete

11/11/2025

UBT do të jetë nikoqir i Konferencës së VII Ndërkombëtare të Botës Turke për Shkencë dhe Inxhinieri – TURK-COSE 2025, e cila do të mbahet nga 13 dhe 14 nëntor, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan.

Kjo ngjarje e madhe shkencore do të organizohet në formën fizike dhe online, duke mbledhur studiues, profesorë dhe kërkues nga e gjithë bota.

Konferenca organizohet në bashkëpunim mes UBT-së, Universitetit Kirgizo-Turk “Manas” (KTMU – Kirgizi), Universitetit Teknik të Azerbajxhanit (AZTU – Azerbajxhan), Universitetit “Akhmet Yasawi” (Kazakistan) dhe Universitetit “Niğde Ömer Halisdemir” (NOHU – Turqi).

TURK-COSE 2025 do të përqendrohet në tema bashkëkohore të fushave të ndryshme shkencore dhe teknologjike, përfshirë:

  • Teknologjitë e Informacionit dhe Telekomunikimit
  • Shkencat Natyrore dhe të Aplikuara
  • Shkencat Fizike dhe Teknike
  • Inxhinierinë e Ndërtimit dhe Teknologjitë Arkitekturore
  • Shkencat Bujqësore dhe Mjedisore
  • Transportin dhe Energjjinë e Rinovueshme

Në fokus do të jenë edhe konceptet moderne si Industria 4.0, Inteligjenca Artificiale, Interneti i Gjërave (IoT), Energjia e Gjelbër, dhe Qytetet e Mençura.

Në konferencë do të marrin pjesë folës nga të paktën pesë shtete të ndryshme, ndërsa gjuhët zyrtare të punimeve do të jenë: turqishtja, kazakishtja, kirgizishtja, azerbajxhanishtja, anglishtja dhe rusishtja.

Punimet e pranuara dhe prezantuara do të publikohen në Librin e Abstrakteve dhe Librin e Punimeve me ISBN, ndërsa versionet e zgjeruara në anglisht do të kenë mundësi botimi në revista të indeksuara si SCOPUS, TRDizin dhe Crossref.

Organizatorët ftojnë studiues, akademikë, profesionistë dhe studentë të diplomuar të kontribuojnë me punime shkencore që reflektojnë zhvillimet më të fundit në shkencë dhe inxhinieri.