
Ndërmjetësimi në qendër të Akademisë Verore të Juridikut në UBT – Një qasje moderne drejt zgjidhjes së konflikteve
07/07/2025Në kuadër të Global UBT Fest 2025, aktivitetit më të madh ndërdisiplinar në Kosovë dhe rajon, u zhvillua me sukses hapja zyrtare e Akademisë Verore të Fakultetit Juridik të UBT-së, e cila këtë vit është fokusuar në një nga mekanizmat më bashkëkohorë dhe efektivë të drejtësisë – ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Ceremonia u mbajt në Dukagjini Center, ku të pranishmit u mirëpritën nga koordinatorja e kësaj akademie Prof. Asoc. Dr. Egzone Osmanaj. Në fjalët hyrëse, Osmanaj theksoi rëndësinë e akademive verore si platforma edukative që i tejkalojnë kufijtë e teorisë dhe nxisin përvojat praktike, duke krijuar ura të forta ndërmjet edukimit universitar dhe realitetit të profesionit juridik.
Pjesa qendrore e ditës së parë të akademisë ishte ligjërata dhe sesioni praktik i udhëhequr nga Ganimete Xhelili, Kryetare e Odës së Ndërmjetësve të Kosovës, e cila së bashku me Prof. Asoc. Dr. Jorida Xhafaj, prezantuan temën:
“Roli i ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, përmes një ligjërate interaktive dhe një seance të simuluar të ndërmjetësimit, duke përfshirë të gjitha etapat dhe rolet kyçe të procesit.
Studentët e Fakultetit Juridik dhe pjesëmarrësit patën mundësinë që jo vetëm të kuptojnë në teori këtë metodë të re, por edhe të përjetojnë në mënyrë praktike se si ndërmjetësuesit ndihmojnë palët të arrijnë marrëveshje me mirëkuptim dhe konsensus – pa qenë e nevojshme ndërhyrja e gjykatës.
Kjo përvojë u vlerësua si shumë e vlefshme për zhvillimin profesional të të rinjve juristë dhe një hap i rëndësishëm në formimin e tyre si profesionistë të së drejtës me aftësi ndërmjetësimi dhe menaxhimi të konflikteve.
Akademia Verore e Juridikut është pjesë e strategjisë së Fakultetit për të ofruar arsimim të integruar me tregun e punës, duke përfshirë trajnime, simulime, ligjërues nga praktika dhe ekspertë të fushave të ndryshme juridike.
Në ditët në vijim, kjo akademi do të vazhdojë me aktivitete tematike, punëtori dhe ligjërata të fokusuara në drejtësinë bashkëkohore, duke përfshirë çështje të rëndësishme të të drejtës civile, penale, ndërkombëtare dhe kushtetuese.