Në UBT u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2013

06/07/2013

Prishtinë,  6 korrik 2013-  Në një ceremoni madhështore, organizuar në Kampusin e ri pran magjistrales Prishtinë- Shkup, 8 km larg Prishtinës, nga UBT, u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2013, në të cilën studimet bachelor  dhe master i  përmbyllën 212 studentë të tre departamenteve: Departamenti për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamenti për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamenti për Mekatronikë.

 

 

Duke folur para të pranishmëve, prindër, familjarë dhe miq, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, përfaqësues të medieve, profesorë dhe studentë të UBT-së dhe të ftuar të tjerë Presidentit të UBT-së, Prof. Dr .Edmond Hajrizi tha: “Ju dëshirojmë mirëseardhje në ceremoninë e përfundimit të studimeve dhe ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit bachelor dhe master  në UBT  dhe atë për tre depertament: Departamentin për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Departamentin për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri si dhe Departamentin për  Mekatronikës.

Ne jemi shumë të nderuar që ju sot jeni pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme, e cila sigurisht është një prej momenteve më të veçanta në jetën e absolventëve tanë.

Kjo ceremoni është si rezultat që del nga një përkushtim i juaj disavjeçar për të studiuar dhe për të ndërtuar një dije dhe një personalitet lideri në njërin prej profesioneve të zgjedhura nga ju, me qëllim të arritjes së një cilësie më të lartë jetësore për ju dhe shoqërinë.

Nevoja për një lider profesional është kërkesë e përditshme kudo në botë, por edhe në Kosovë.

Ne po kërkojmë të zhvillojmë një personalitet, i cili është shumë i përgatitur profesionalisht, është i përkushtuar në punë, ka shkallë të lartë kreativiteti dhe inovacioni, ndërton partneritete me të tjerët, ndihmon veten dhe shoqërinë, puna e tij bazohet ne fakte dhe rezultate, ka një aftësi të lartë ndërkulturore dhe interdisiplinare, por ka edhe një komunikim modern të bazuar në vlerat më të larta.

Studimet në UBT kanë pasur dhe kanë pikërisht një qëllim, që bazohet në atë që thamë: ofrimin e veglave dhe aftësive te nevojshme individit për të marrë vendime racionale dhe që i garantojnë atij suksese dhe vlera që bazohen në standardet më të larta evropiane dhe ndërkombëtare. 

Detyra kryesore është që t’ia ofrojmë studentit tonë të gjitha arritjet e fundit në shkencën e menaxhimit, në ekselencën biznesore, në teknologjinë më moderne, në robotikë, në arkitekturë, në dizajn, planifikim hapësinor, marrëdhënie ndërkombëtare, diplomaci, në integrimet evropiane por edhe në kompetencën sociale.

Kjo është mundësuar falë një planprogrami modern që UBT e ka krijuar, duke u bazuar në standardet evropiane dhe amerikane të studimeve por edhe në bazë të nevojave dhe kërkesave që dalin nga tregu i punës.

Po ashtu, kjo është mundësuar edhe falë angazhimit të një stafi akademik me një eksperiencë të lartë ndërkombëtare në shkencë por edhe në aspektin profesional. 

Më shumë se 300 profesorë dhe ekspertë, nga katër kontinente, nga 20 vende dhe kultura të ndryshme, nga rreth 100 e më shumë  universitete dhe institucione partnere me renome botërore, po sjellin në UBT përvojën dhe dijen e tyre në këto programe ku ju, të nderuar absolventë, keni studiuar. 

Kjo ka krijuar një ambient unik ndërkombëtar, ndërkulturor dhe interdisiplinar jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Kjo i krijon UBT-së mundësinë të ofrojë programe dhe projekte që nuk kanë qenë më parë të pranishme në Kosovë.

Dhe natyrisht kjo ditë e sotme vjen si rezultat i punës së madhe dhe të palodhshme të të gjithëve në UBT, por para së gjithash si rezultat i punës studioze dhe të palodhshme që bëtë dhe po bëni ju, të nderuar studentë dhe absolventë.

Me angazhimin tuaj të madh, me argumentet e shumta të paraqitura për nivelin e zhvillimit të UBT-së, mbështetur në programet dhe rezultatet studimore, duke u anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë, ju dhe UBT ia keni dalë të thyeni bllokadën dhe pengesat e shumta, duke u shndërruar në ambasadorë të vendit tonë, për prezantimin e vlerave ekzistuese dhe synimeve të vendit tonë për të përqafuar trendet më bashkëkohore të zhvillimeve në shkencë e teknologji, duke bindur dhe gjithë të tjerët se në Kosovë ka vlera që duhen çmuar e përkrahur dhe duke dëshmuar njëkohësisht se studentët dhe ekspertët kosovarë mund të përfaqësohen denjësisht në të gjitha rrethet kulminante shkencore botërore.

Me këtë ju po ndihmoni vetveten por njëkohësisht po ngrini vlerat dhe cilësinë e jetës në vend.

Ku është UBT, në fakt  UBT jeni Ju studentë të diplomuar, dhe ju të gjithë sot meritoni një respekt të veçantë dhe një falënderim të posaçëm”.

 

 Po ashtu dr. Hajrizi, foli në mënyrë kronologjikë për këto 12 vitet e UBT-së,  duke  cituar se UBT është  e vetmja prej privatëve jo vetëm në vend por edhe në rajon që është përfituese e rregullt e projekteve të shumta të BE-së.

 

 

Me nga një fjalë rasti ceremoninë e kanë përshëndetur edhe ambasadori i Republikës së Norvegjisë në Prishtinë, Jaan Braathu i cili tha: ” Edukimi është një prej faktorëve kyq në botë që ndikon direkt në përmirësimin e jetës së njeriut  dhe  UBT  është ka  e zhvillon  një platformë  të tillë” Z. Braathua studentëve  ju drejtua me këtë fjali,   Ju jeni pjesë e zgjidhjeve  së problemeve në fushën e shkencës dhe teknologjisë në  Evropë, sepse ky kontinent  ka nevojë  për aftësitë  dhe punën e juaja profesionale dhe fleksibilitet dhe jam shumë optimist se rinia kosovarë mund të ndikoj direkt në zgjedhjen e këtyre problemeve. Ai gjithashtu tha se shteti norvegjez,   përmes projekteve të ndryshme është e interesuar të bashkëpunoj më shumë se kurrë  me kosovarët e rinj.  

 

 

Ceremoninë e kanë përshëndetur edhe zëvëndëspresidenti i UBT-së, prof. dr.  Mo Vaziri, tha se përveç  tjerave UBT është duke i  shërbyer  Republikës Kosovës , rajonit dhe më gjerë, duke përgatitur udhëheqës  për  shekullin e  XXI , dhe  në të gjitha sektorët”,   prof.  Vaziri,   fjalimin e mbylli me një poezi  autoriale, duke ju drejtuar  studentëve- evropianëve  të rinj  që të ngrihen  dhe të  qëndroj  me kokë lartë para botës duke  mbet  më pas në histori për gjëra pozitive sa të ekzistoj njerëzimi.  

 

Ndërsa në emër të Alumini të UBT-së, ceremoninë e kanë  përshëndetur Ilir Hajdini dhe Kreshnik Ismaili,  të cilët thanë se ndihem  krenarë që kemi  studiuar  në UBT,  sepse të diplomuarit e UBT-së lirshëm mund të vazhdojnë  studimet nëpër  universitete më të mëdha  prestigjioze në botë.  

 

 

Gjithashtu ceremoninë e ka përshëndetur edhe kryetari i Organizatës së studentëve në UBT, Hekuran Popaj. 

 

 

Pas fjalëve përshëndetëse ka vijuar ceremonia e diplomimit, me dhënien e betimit nga të porsadiplomuarit dhe me marrjen e certifikatave.

 

 

Po kështu, gjatë kësaj ceremonie janë shpallur edhe studentët e dalluar dhe studentët ambasador  të të tre departamenteve, të cilët janë nderuar me certifikata. 

 

 

Manifestimi është përcjellë me pika të zgjedhura muzikore, ndërsa madhështinë atij ia kanë shtuar mysafirët e shumtë, të cilët kanë madhështuar ceremoninë e diplomimit.