Në UBT u shënua dita botërore për internet të sigurt

08/02/2017

Në ambientet e kampusit të UBT-së, në Prizren, është mbajtur konferenca me titull “Safe Internet Day- Kosova”, për nder të ditës ndërkombëtare për internet më të sigurt, e organizuar nga UBT, Komuniteti për Siguri Kibernetike dhe DARDS.


Gjatë kësaj konference janë trajtuar tema që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, roli i ARKEP-it në ofrimin e sigurisë në internet, rëndësia e ndërgjegjësimit në parandalimin e humbjes së të dhënave, ndikimi i internetit tek fëmijët, sfidat e sigurisë në ueb, fuqizimi i gruas dhe interneti, roli i ISP-ve, ISO standardet dhe rëndësia e tyre për shfrytëzimin e sigurt të internetit, vendosja e të dhënave në hapësirë kibernetike etj.


Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi vlerësoi se numri i përdoruesve të internetit është i madh, prandaj sipas tij, do të duhej  të krijohet një mobilizim për koordinim dhe bashkëveprim për avancimin e veprimeve në mbrojtjen e shoqërisë nga rreziqet që shfaqen nga përdorimi i pasigurt i internetit.


“Interneti ka krijuar gjithashtu edhe mundësi të reja për keqpërdoruesit dhe abuzuesit e përdoruesve. Prandaj, pa përdorimin e masave të duhura mbrojtëse, përdoruesit e internetit mbeten të ekspozuar shumë ndaj rreziqeve të ndryshme në internet”, tha Hajrizi duke shtuar se UBT është e interesuar që të krijojmë një infrastrukturë dhe një politikë sa më të sigurt në përdorim të internetit.


Kryetari i Komunitetit për Siguri kibernetike dhe Privatësi, Mentor Hoxhaj konsideroi se institucionet në Kosovë duhet të angazhohen me aktivitete konkrete me qëllim të promovimit të sigurisë në internet.


“Organet publike dhe private duhet të angazhohen, sepse siguria në internet dhe roli i saj nuk është duke u marrë me seriozitetin e duhur dhe nuk po ndërmerren masa për përmirësimin dhe sjelljen e sigurisë në nivelin e kënaqshëm. Në këtë drejtim duhet të krijohet mekanizëm nga organet përkatëse, sepse është rritur shumë shfrytëzimi i internetit”,  tha Hoxhaj.


Drejtori i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi ka vlerësuar se interneti ka ofruar komunikim të shpejtë, por njëherësh ka ofruar edhe qasje të pakushtëzuar në informata dhe shërbime, dhe si rezultat i kësaj janë hapur edhe mundësi të reja për keqpërdoruesit dhe abuzuesit e fëmijëve.


“Me rritjen e përdorimit të internetit janë rritur edhe rreziqet, sidomos tek fëmijët. Në bazë të studimeve të fundit, fëmijët qasen në internet edhe në mënyrë të pavetëdijshme”, ka thënë Gashi i cili shtoi se duhet të promovohet sa më shumë përdorimi i internetit të sigurt.


Për rëndësinë e ndërgjegjësimit në parandalimin e humbjes së të dhënave personale ka folur eksperti i fushës së sigurisë kibernetike, Tanzer Abazi, i cili theksoi se vetëm rritja e nivelit të sigurisë paraqet faktorin kryesor për ruajtjen e të dhënave.


“Nëse dëshironi të keni privatësi e t’i ruani të dhënat personale, shfrytëzoni sigurinë maksimale, sepse ka veçori si aplikacion”, ka thënë Abazi.

Teuta Zymberi nga Qendra për Studime të Avancuara “FIT” potencoi se rreziqet nga përdorimi i internetit rriten sa më shumë që fëmijët shkathtësohen në përdorimin e pajisjeve të teknologjisë informative.


“Nga hulumtimet e fundit del se fëmijët sidomos moshat e reja përballen me rreziqe të shumta nga përdorimi i pasigurt i internetit si: përmbajtje joadekuate, takim me njerëz të panjohur, sajbër-dhuna, keqpërdorim i të dhënave personale, varësia ndaj internetit”, ka thënë Zymberi duke shtuar se shumë prej të anketuarve, ku target mosha është 9 deri 15 vjeç, kanë deklaruar  se kanë parë pamje pornografike.


Qëllimi i konferencës ishte që të mbledhë akterë të rëndësishëm  në fushën e sigurisë në internet, për të prezantuar punën e tyre, si dhe për diskutuar bashkërisht në mënyrë që të dalin me rekomandime për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.


Sipas pjesëmarrësve, kjo ditë ofron mundësinë për të nxjerrë në pah përdorimin pozitiv të teknologjisë, si dhe për të shqyrtuar rolin në krijimin e një komuniteti sa më të mirë dhe më të sigurt ne internet, me ç’rast pjesë e kësaj nisme ishin ekspertë të fushës, organet e zbatimit të ligjit, punëtorët socialë, të rinjtë, prindërit, kujdestarët, mësuesit etj.


 

Dita ndërkombëtare për internet më të sigurt shënohet çdo vit në mbarë botën, me qëllim të nxitjes së përdorimit të sigurt dhe pozitiv të teknologjisë digjitale nga fëmijët dhe të rinjtë, teksa kësaj fushate i janë bashkuar mijëra organizata për ngritjen e vetëdijes qytetare.