Në UBT u organizua ligjërata për trendët në marketing

23/04/2012

 

Prishtinë  23 prill 2012-   Për studentët e vitit të III të UBT-së, në specializimin për marketing the shitje,   u organizua ligjërata për tendencat në marketing  nga  Uragan Alija.  Ligjërata ishte konceptuar që të përfshinte temat kryesore në komunikimin e integruar në marketing të cilat përqendroheshin në markimin, tendencat dhe integrimin e mjeteve të komunikimit në marketing dhe ndikimin e rrjetave sociale. 

 

Përveç z. Aliut,   pjesë  e kësaj ligjërate ishin edhe tre mysafirë tjerë si Valon Canhasi, themelues i Makinës lokale të kërkimit hallakate.com dhe njohës i rrjetave sociale. Fehmi Ferati, producent dhe prezantues në “Fehi’sShow” si dhe njohës i marketingut dhe Kushtrim Demiri, CEO në KD Events, Agjenci marketingu e cila specializohet në organizim të ngjarjeve dhe promocion.

 

Që  të tre prezantuan përvojat e tyre në ndikimin e rrjetave sociale në Kosovë, ndikimin e mediave në masë (televizionit) dhe punën dhe përgjegjësitë e një agjencie të marketingut në zhvillimin e strategjisë dhe komunikimin e mesazhit tek konsumatorët.

 

Të gjitha prezantimet ishin  të frytshme për studentët e UBT-së, të cilët patën rastin të njoftohen edhe për së afërmi lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe të ndërlidhin ato me ligjëratat nga lënda e Komunikimit të Integruar në Marketing.

 

Sa për ilustrim, disa prej informatave interesante ishin që vazhdimisht komunikimi i të rinjve është në rritje me anë të rrjeteve sociale dhe e gjithë kjo po i sjell edhe kompanitë në biznes që më seriozisht të ri-shikojnë strategjitë e tyre të prezantimit në internet si një medium komunikimi me klientët dhe palët e tyre me interes.

 

Për më tepër,  studentët mësuan edhe për shembuj praktik të përdorimit të QR Code – si një mjet për të vendosur informata të ndryshme të cilat lexohen me anë të lexuesit të QR Codeve.  Ky mjet veçanërisht zënë aplikim duke marrë parasysh numrin në rritje të telefonave të mençur (smartphone).