Në UBT po i zhvillon punimet konferenca “Ditët Austriake-Kosovare 2015”

10/03/2015

Prishtinë, 10 mars. – “Ditët  Austriake-Kosovare 2015” quhet konferenca dyditore ndërkombëtare, që po i zhvillon punimet në lokalet e UBT-së në Prishtinë dhe në të cilën po marrin pjesë përfaqësues nga qeveria austriake, institucione të tjera të këtij shtetit, si dhe përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Konferenca është organizuar nga UBT, në bashkëpunim me Asociacionin Austriak-Kosovar, Klubin Alpbach Kosovë dhe me mbështetje nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë si dhe anëtarët e Shoqërisë austriake të Kosovës në Kosovë dhe akterët kyçë austriakë që mbështesin Kosovën.

 

Ndër temat kryesore që u shtruan për diskutim gjatë sesionit të hapjes dhe që do të shtrohen për t’u diskutuar gjatë dy ditëve të konferencës, janë: E ardhmja evropiane e Kosovës; Përvojat e Austrisë si një shtet që shënon 20-vjetorin e anëtarësimit në BE; Sfidat e Kosovës sot në rrugën drejt Bashkimit Evropian; E-Qeverisja si bazë për Qeverisje të Mirë; E-Qeverisja si bartëse e reformës në fokus në kujdesin shëndetësor; E-Arsimi si faktor kyç për reformimin e Arsimit në Kosovë; Bashkëpunimi ekonomik midis Austrisë dhe Kosovës, Reforma ekonomike në bazë të e-Qeverisë si faktor kyç për investime të mëtejshme të Austrisë në Kosovë; E-Qeverisja dhe bashkëpunimi në inovacion ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, si faktor kyç për menaxhim urban dhe kadastër etj.

 

Në hapje të konferencës, rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, si dhe të bashkorganizatorët e kësaj konference, që ofron tema me shumë interes për opinionin kosovar dhe më gjerë.

Z. Hajrizi theksoi se UBT ka nderin që të jetë nikoqir i Partneritetit Austriak-Kosovar, dhe e vlerësoi këtë konferencë si ngjarje të rëndësishme që ka për qëllim promovimin dhe implementimin e menaxhmentit të integruar. 

Ai u shpreh se në Kosovë ka një dinamizëm të lartë, sistem të ri dhe një gjeneratë të re, ndërsa ndër pikat kryesore që theksoi si prioritet ishin teknologjia, globalizmi dhe resurset humane. 

”Lidershipin do ta transformojmë në partneritet me vendet e Evropës”, tha  ndër të tjera z.Hajrizi. 

Ministri  i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Mahir Yağcilar, theksoi se institucionet dhe qytetarët e vendit tonë synojnë një Kosovë evropiane.

 

“Si Qeveri e Kosovës, si Ministri e Administratës Publikë, jemi të gatshëm ta çojmë përpara përdorimin e teknologjisë informative, por edhe të krijojmë njerëz të cilët janë të gatshëm ta përdorin teknologjinë informative, E-Qeverisjen, që ta ndërtojmë një Kosovë evropiane”, theksoi ministri Yağcilar.

Ai falënderoi organizatorët për organizimin e kësaj konference ndërkombëtare për qeverisje elektronike, me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin, për avancimin dhe zhvillimin e qeverisjes elektronike në Kosovë. 

 

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të bëjë reformë të administratës publike dhe të avancojë qeverisjen elektronike, përmes proceseve administrative dhe digjitalizimit të këtyre proceseve, ku synohen shërbime më cilësore, përdorimi më efikas te ndërmarrjet publike, për procese më efikase dhe më të shpejta të qeverisjes. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar dokumente strategjike dhe akte të tjera që ndihmojnë fushën elektronike të komunikimeve dhe shërbimeve elektronike. Në vitin 2008 është miratuar Strategjia  për E-qeverisje dhe kemi filluar dhe do të vazhdojmë hartimin e strategjisë në periudhën e ardhshme 5-vjeçare, që është një hap i strategjisë dhe reformës së administratës publike dhe vazhdimin e strategjisë për inovacionin”, tha ndër të tjera ministri  i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Mahir Yağcilar. 

Në vazhdim foli z.Christian Rupp, koordinator i Qeverisë së Austrisë për qeverisje elektronike.

Z.Rupp e vlerësoi  Kosovën si një vend me bazë të mirë të zhvillimit, ndërsa theksoi se UBT i ka kushtet dhe premisat për të qenë i suksesshëm. 

Duke folur për zhvillimin e teknologjisë në përgjithësi, ai u shpreh se në këtë drejtim  menaxhmenti luan rol të rëndësishëm. “Teknologjia është pjesë e vogël, mund të them 20 për qind dhe pjesa tjetër, 80 për qind, është ndryshimi i menaxhmentit. Për të qenë i suksesshëm duhet ndryshim i menaxhmentit, forcë ndryshuese (një menaxher i mirë) dhe sigurimi i informacioneve”, tha ai.

 

Ai u shpreh i kënaqur edhe me sistemin elektronik që ofrojnë shërbimet elektronike. ”Sektori publik dërgon dokumente zyrtare në mënyrë elektronike, çdo pyetje e përgjigje prej klientëve duhet ti kemi në formë elektronike. Pranojmë vetëm faturat elektronike, jo aty të shtypura dhe kjo është bazë ligjore’”, tha ndër të tjera z. Rupp.

Kujtim Gashi nga Agjencia Kosovare për Shoqëri të Informacionit, pasi foli për bazën ligjore që mbulon këtë fushë, të miratuar gjatë vitit 2013 dhe 2014, theksoi se është krijuar një bazë e mirë qe edhe institucionet e Kosovës të ecin drejt modernizimit të sektorit publik. 

“Dokumentet e rëndësishme strategjike të qeverisjes elektronike janë dokumente të cilat legjislativi i Kosovës dhe Qeveria i ka aprovuar si dokumente të rëndësishme në drejtim të zhvillimit të e-qeverisjes në Kosovë”, tha ai. 

Ai përmendi një varg ligjesh të miratuara, ndër të cilët veçoi Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, që është një ligj i rëndësishëm për këtë fushë dhe një dokument i me rëndësi të veçantë.

Z.Gashi theksoi në vijim se është duke u punuar në nxjerrjen e strategjisë së re, që do të shënojë përmirësim të dukshëm në këtë fushë.

Një mysafire e veçantë në konferencë ishte edhe Adriana Boersma, menaxhere e rrjetit të “Microsoftit” në mbi 20 shtete.

Fillimisht, znj. Boersma foli për rëndësinë e Microsoftit për jetën e njerëzve dhe qasje sa më të lehtë të të dhënave të shërbimeve online.

 

“Është nder të jem këtu. Kosova është një vend i bukur, me sfida dhe mundësi të mira për zhvillim në fusha të ndryshme. Pajisjet e reja teknologjike njerëzve u kanë ofruar lehtësim në ofrimin e shërbimeve elektronike. Studentëve u kanë ofruar mundësi dhe qasje në mësimnxënie”’, tha Adriana Boersma.

Ajo theksoi se teknologjia informative ka potencial të lartë në mbrojtjen e të dhënave, të sigurisë dhe të shërbimeve të ICLOUD. Sipas saj, Microsoft mundëson arritjen e objektivave, kalimin e sfidave dhe vështirësive, me efiçiencë më të madhe të ofrimit të shërbimeve elektronike. 

Znj. Boersma e falënderoi dhe e mbështeti Presidentit e UBT-së për këtë partneritet në fushën e teknologjisë dhe zhvillimit të saj dhe shfaqi dëshirën që të ndihmojë sa i përket këtij sektori të shërbimeve dhe të dhënave.

“Duam t’ju ndihmojmë edhe juve që të krijoni mundësi të mira në sferën dhe sektorin e shërbimeve publike dhe elektronike”, tha ndër të tjera zonja Adriana Boersma.

Ndërsa, Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, theksoi ndër të tjera se një ndër detyrat kryesore të kësaj agjencie është gjetja e balancit mes transparencës dhe privatësisë.

Kjo, tha ai, është një sfidë e vazhdueshme, e cila ka ardhur edhe me zhvillimin  e teknologjisë informative ashtu edhe të transparencës që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes.

 

“Gjetja e këtij balanci është një sfidë e vazhdueshme. Jemi duke tentuar që ta gjejmë dhe jemi duke punuar në këtë drejtim. Për të kuptuar më mirë sfidat në tërësi dhe mundësitë të cilat i kemi së bashku, duhet të kuptojmë edhe në cilën botë jemi duke jetuar. Jemi duke jetuar në botën e rrjetëzuar, jemi të digjitalizuar tërësisht me identitetet tona, lokacionet e veprimit, shoqërimit, të gjitha të ruajtura në BIT dhe BYTE. Sasia e informacioneve të gjeneruara brenda ditës është një sasi jashtëzakonisht e madhe. Gjersa  në vitin 2013 janë gjeneruar 4 trilionë gigabajt, në vitin 2014 kemi dyfishim të kësaj shifre, 8 trilionë gigabajt”, tha ndër të tjera z.Hoxhaj.

 

Adriana Boersma: ”Interneti ju ka ndihmuar njerëzve në ndryshimin e botës”

Adriana Boersma, menaxhere e rrjetit të “Microsoftit” në mbi 20 shtete, pas fjalës në konferencën “Ditët  Austriake-Kosovare 2015”, u përgjigj në disa pyetje për gazetën e studentëve “UBT News”

E pyetur sa kjo konferencë ka ndihmuar të rinjtë që ta kuptojnë rëndësinë dhe të mirat e rrjetit elektronik, ajo tha: ”Para së gjithash mendoj se është një mundësi e madhe për studentët që të marrin  pjesë dhe të kenë mundësi të shohin ide të reja nga vendet e jashtme. Studentët patën mundësi të mësojnë sadopak në lidhje me privatësinë, sigurinë, transparencën, që janë shumë të rëndësishme dhe krijimin e së ardhmes në Kosovë. Shpresoj se Microsofti mund të japë një platformë që të keni sukses në punën parë të mjedisit”.

“Unë mendoj se interneti ju ka ndihmuar njerëzve në ndryshimin e botës. Njerëzit, si për shembull studentët, e kanë më të lehtë dhe ata po e ndryshojnë botën, sepse e kanë një platformë të quajtur Internet dhe ajo po ndryshohet dita-ditës me ide të reja”, vijoi znj. Boersma.

E pyetur  lidhur me mundësitë që ofrohen për ruajtjen e të dhënave në serverë të kompanive të mëdha, jo u përgjigj: “Nuk ka nevojë të keni bazë të të dhënave, por ICLOUD ju ofron shërbime që të keni të dhëna dhe informacione të sigurta sikur sot që ju treguan përfaqësuesit e MICROSOFT-it. Nuk keni nevojë të brengoseni për gjërat që jeni të interesuar t’i mbani, t’i ruani dhe t’i arrini. Nuk keni nevojë të brengoseni me teknologjinë informative. Ju e dini se në mënyrë të lehtë dhe të thjeshtë mund të jeni në gjendje që me Misrosoft ICLOUD të mbroni të dhënat. Ju mund të jeni produktivë duke përdorur platformën e Microsoftit dhe të filloni të punoni me ide të reja”.

Tekstin e përgatitën: Albina Zeneli, Besart Troshupa, Drin Jakurti / UBT News