Në UBT mbylli punimet Akademi për Ndërmarrësi dhe Inovacione

09/07/2012

 

Ministri Besim Beqaj dhe Drejtori i bankës “Raiffeisen” Robert Wright,  diskutuan me studentët e UBT-së 

 

Prishtinë,  9 korrik 2012 – Në kuadër të aktivitetit njëjavor, që organizoi  UBT “Akademi për Ndërmarrësi dhe Inovacione”, të një karakteri të lartë shkencor nga bota e ndërmarrësisë dhe të inovacioneve, në ligjëratat përmbyllëse janë paraqitur edhe  Ministri i Zhvillimit Ekonomik,  Besim Beqaj, dhe  drejtori i  bankës “Raiffeisen”, Robert Wright. 

 

 

“Inovacioni është çelës i zhvillimit të ndërmarrësis dhe që të ketë një shtet në inovacion duhet të shkojnë 7-10 për qind e buxhetit pikërisht në sektorin e shkencës”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj,  në një ligjërata e zhvilluar në kuadër të akademisë.

 

 

Ministri Beqaj ka folur për hapat që Qeveria e Republikës së Kosovës i ka marr në hartimin e një plani për zhvillim ekonomik dhe ndryshimet legjislative për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

 

 

“Në planin për zhvillim ekonomik të hartuar në Bullgari nuk kemi caktuar një sektor të cilët do të kenë përparësi për zhvillim pasi nuk kemi dashur që ne t’ia imponojmë sektorit privat se çka të investojnë”, ka thënë Beqaj, duke shtuar se tashmë plani i Banskos është duke i zbatuar. Zbatimi i tij ka nisur pikërisht me lehtësimin për të bërë biznes, eliminimin e procedurave burokratike-korruptive dhe me largimin e shtetit nga ekonomia.

 

 

“Privatizimi duhet të ndodh, sepse është dëshmuar se shteti është menaxheri më i keq i ndërmarrjeve publike”, ka thënë Beqaj duke e arsyetuar privatizimin e Distribucionit dhe më pastaj të Ekonomisë. Beqaj ka folur në këtë ligjëratë pashmangshëm edhe për energjinë dhe Trepçen.

 

 

“Trepça është shpëtuar me miratimin e tri ligjeve, që kanë të bëjnë me AKP-në, Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme dhe atë për Trepçën. Tashmë AKP-ja i ka të gjitha kompetencat, ndërsa Qeveria e Kosovës e ka roli kryesor në bordin e kreditorëve pasi ka investuar mbi 100 milionë euro”, ka thënë ai.

 

 

Ligjërata e ministrit ishte e përqendruar edhe në aspektin akademik për ndërmarrësi dhe inovacion, që është edhe specializim i ministrit në fushën akademike.

 

 

Ndërkaq i  drejtori i bankës “Raiffeisen”, Robert Wright,  më konkretisht ka ligjëruar për sistemin bankar si dhe kontributin e bankës “Raiffeisen” dhënë në Kosovë në të gjitha fushat dhe shtrirjen e saj në nivel ndërkombëtar. 

Ndryshe, punimet e kësaj akademie shkencore u përcollën edhe me disa vizita  në  disa kompani më të suksesshme të vendit si në  “PESTOVË”,   “ M- TEKNOLOGIE” , “MERIDIAN” dhe  furra “BUKA”.  Gjatë vizitës ishin të pranishëm edhe Presidenti i UBT, Prof.  Dr. Edmond Hajrizi, si dhe profesorët e UBT-së, me origjinë nga Austria,  Prof. Dr. Peter Kopacek  dhe  Prof. Engelbert Selenko, dhe profesor tjerë vendor.

 

 

Studentët përveç mikpritjes së ngrohët nga menaxherët e  lartë të kompanive në fjalë,  ata për së afërmi panë  prodhimin dhe u ndanë të kënaqur  me të arriturat e tyre për produktin që ofrojnë në tregun vendit dhe më gjerë. 

 

 

Punime e akademisë u zhvilluan për një javë me radhë, përveç vizitave të shumta nëpër kompani më profitabile të vendit, u zhvilluan edhe shumë ligjërata shkencore nga ligjërues  edhe profesor  e ekspert  nga shumë vende të Evropës dhe vendorë.