Moduli i ANV-së, që ndihmon në ngritjen e cilësisë së hapësirave publike

13/07/2016

Në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në Kolegjin UBT, të mërkurën, ka vazhduar punimet moduli “Contemorary Development of Public Spaces in Urban Area”, prezantuar nga dr.sc. Binak Beqaj dhe asistentja PhD Cand. Vlora Aliu.

 

Pas ligjëratës së profesorit Beqaj në lidhje me definimin, klasifikimin, karakteristikat kryesore dhe modulimin e hapësirave publike urbane, studentët janë ndarë në 6 grupe dhe kanë vazhduar identifikimin e hapësirave publike (sheshe, hapësira me dedikim trafikun, hapësira të gjelbëruara, plate hyrëse të ndërtesave të veçanta etj), përmes të ashtuquajturës “ecje urbane”, për të cilat do të zhvillojnë analiza, planifikim dhe dizajnim urbanistik. Propozim-zgjidhjet urbane të ofruara, do të prezantohen para audiencës, ditën e tretë dhe të fundit të punimeve të modulit.

 

Ky modul, për nga përmbajtja konsiderohet si një mundësi e mirë për studentët, me qëllim që të marrin njohuri shtesë në lidhje me trendët modern të trajtimit dhe planifikimit të hapësirave publike urbane, në veçanti për faktin se projektet që po i zhvillojnë studentët janë problematikë reale urbane për qytetin e Prishtinës dhe mund të konsiderohen si kontribut modest për ngritjen e cilësisë së disa hapësirave publike urbane nga aspekti përmbajtjesor, funksional dhe estetik.