Ministrja Çitaku diskutoi me studentët e UBT-së

18/05/2012

 

Prishtinë,  18 maj 2012- Ministrja për Integrim Evropian në  Qeverinë e Republikën së Kosovës, Vlora Çitaku ka  marrë pjesë në debatin e organizuar sot në UBT, në temën ” Kosova në procesin e Integrimit Evropian “.

 

Të pranishëm në debat ishin profesorë të UBT-së, studentë dhe të interesuar të tjerë, të cilët përcollën me interesim debatin.

 

Ministrja Çitaku gjatë ligjëratës së sotme u fokusua në të arriturat dhe sfidat e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Gjersa foli për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ajo  shpjegoi edhe vështirësitë që e kanë përcjellë BE-në këtë periudhën e fundit, qoftë me krizën financiare po ashtu edhe me migrimin ilegal si pasojë e “Pranverës Arabe”. 

 

 

Ajo shtoi se “Kosova nuk do të mund t’i imponohet Evropës si problem por vetëm si sukses dhe një storie e suksesit”.  

 

Gjatë ligjëratës së saj, ajo tha se në Kosovë nuk ka euro-skeptikë, se nuk ka grupe formale, qofshin politike apo shoqërore, të cilat refuzojnë, bllokojnë apo pengojnë integrimin e Kosovës në familjen evropiane.

 

 

“Kam mbështetjen e të gjitha partive opozitare pa përjashtim dhe siç keni mundur të vini re, para pak kohësh, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka themeluar Këshillin Kombëtar për Integrime Evropiane, pjesë e së cilës janë të gjitha partitë politike, shoqëria civile, mediat, komuniteti i biznesit, komuniteti akademik, e kështu më radhë”, tha ministrja Çitaku.

 

Ajo tha se integrimi i Kosovës në BE nuk është dhe nuk do të jetë produkt negocimi.

 

 

“Ne nuk do të mund t’ua mbushim mendjen as komisionerëve në Bruksel e as vendeve anëtare me fjalime të bukura dhe me deklarata retorike. Integrimi evropian i Kosovës nuk është proces i jashtëm, nuk është politikë e jashtme. Integrimi evropian është dinamikë e brendshme. Është një listë detyrash është një model shtet-formimi të cilën e kemi zgjedhur ne për vendin tonë. Nëse ne do të arrijmë ta ruajmë momentumin, ta mbajmë ritmin, do të mund të prodhojmë argumente për partnerët tanë dhe t’i lëmë pa argumente oponentët e integrimit evropian të Kosovës”, tha Çitaku.

 

 

Ministrja Çitaku tha se Evropa e vitit 2012 përballet me shumë sfida. Sipas saj, e para është kriza financiare, e dyta është problemi i imigracionit ilegal dhe këto dy procese të cilat zhvillohen shkëputur nga konteksti i integrimit evropian të Kosovës, kanë refleksionet e tyre ndaj Kosovës.

 

“Studimi i Fizibilitetit është hapi i parë në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova ka shënuar progres në katër blloqet, (sigurimi i dokumenteve, menaxhimi i integruar i kufijve, fushën e rendit dhe ligji dhe të drejtat e minoriteteve), të cilat i kërkon Bashkimi Evropian për të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave”, vlerësoi ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku.

 

 

Ministrja Çitaku, zhvilloi dhe  përgjigjën në vijim të debatit edhe në një varg pyetjesh e çështjesh të shtruara për diskutim nga pjesëmarrësit, profesorët dhe studentët e UBT-së.