Mijëra studentë nisin rrugëtimin e tyre akademik në UBT

13/10/2025

Mijëra studentë nga mbarë Kosova dhe rajoni kanë nisur zyrtarisht vitin e ri akademik 2025/26 në UBT, në mbi 50 programe studimi.

Stafi akademik mirëpritën studentët në ambientet moderne dhe inovative të Qytetit të Mençur të UBT-së, si dhe në qendrat kryesore në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren, duke u uruar atyre suksese të reja në rrugëtimin akademik dhe profesional.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, u uroi mirëseardhje studentëve të rinj, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit, eksplorimit dhe zhvillimit të njohurive që i përgatisin për të ardhmen.

“Në këtë vit të ri akademik, le të angazhohemi më thellë në procesin e mësimit dhe të zhvillojmë aftësitë tona, në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme të ndritur. UBT është vendi ku ëndrrat dhe ambiciet bëhen realitet, dhe ne do të jemi pranë jush në çdo hap të këtij rrugëtimi”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Ky vit sjell për studentët e UBT-së mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim profesional dhe pjesëmarrje në projekte inovative e ndërkombëtare, që fuqizojnë njohuritë dhe përvojën praktike.

Me një ekosistem të integruar të arsimit, kërkimit dhe inovacionit, UBT vazhdon të jetë lider në arsimin e lartë në Kosovë dhe rajon, duke garantuar edukim cilësor, eksperiencë profesionale dhe perspektiva reale punësimi për çdo student.