Mbylli punimet Konferenca për Siguri kibernetike dhe Privatësi

04/02/2017

Të shtunën është përmbyllur edicioni i dytë i Konferencës ndërkombëtare për Siguri kibernetike dhe Privatësi, sesioni i fundit i së cilës, u mbajt në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan. Gjatë ditës së tretë të konferencës, u trajtuan tema që në fokus kishin sfidat dhe zgjidhjen e problemeve në fushën e sigurisë, si dhe mënyrat efektive, që sigurojnë mbrojtje nga rreziqet që vijnë prej sulmeve kibernetike.


Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se ngritja e vetëdijes për rëndësinë e sigurisë kibernetike përbën një element tejet të rëndësishëm për procesin e digjitalizimit nëpër të cilin po kalon bota.
“Çdo ditë e më shumë po futemi në procesin e digjitalizimit të çdo gjëje që e përbën jetën tonë, prandaj është shumë i nevojshëm zhvillimi dhe përmirësimi i elementeve që rrisin sigurinë dhe nivelin e privatësisë”, theksoi Hajrizi, duke përmendur nevojën dhe rëndësinë e madhe të organizmit të kësaj konference.
“Në vitet e fundit, kjo konferencë është bërë vendi kryesor i debatit, për temat që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike dhe për rëndësinë e ruajtjes së privatësisë të secilit individ, institucion e organizatë”, vlerësoi ai.
Duke treguar për rëndësinë dhe hapësirën që UBT i kushton fushës së sigurisë dhe privatësisë, rektori Hajrizi tha se institucioni të cilin ai e drejton, ka marrë iniciativë për rritjen e kapaciteteve, me qëllim të dizajnimit dhe të krijimit të programeve që merren me këtë fushë.
“UBT ka punuar shumë për të arritur deri tek akreditimi e drejtimeve që merren me çështjet e sigurisë dhe hapësirës kibernetike, krahas kësaj është themeluar edhe CERT-i”, potencoi Hajrizi, qëllimi dhe funksioni i të cilit, sipas tij, “është që stafi dhe secili student të ketë mundësi të reagojë dhe të menaxhojë problemet e kësaj fushe”.


Kryetari i Komunitetit për Siguri kibernetike dhe Privatësi, Mentor Hoxhaj vlerësoi se siguria është tejet e rëndësishme, sidomos tash, kur sipas tij, mbi 95% e të dhënave gjenden në formë të digjitalizuar.
“Duke qenë se shumica e të dhënat tona janë të digjitalizuara, automatikisht lind shqetësimi mbi ruajtjen e privatësisë dhe nivelin e sigurisë së tyre”, theksoi Hoxhaj, teksa e ngriti shqetësimin se nuk po merren masat e nevojshme për ngritjen e cilësisë së sigurisë.
“Siguria kibernetike dhe roli i saj nuk është duke u marrë me seriozitetin e duhur dhe nuk po ndërmerren masa për përmirësimin dhe sjelljen e sigurisë në nivelin e kënaqshëm”.


Eksperti i fushës së sigurisë kibernetike, Tanzer Abazi, duke treguar arsyet e organizimit të një ngjarjeje të tillë, theksoi se siguria paraqet faktorin kyç për ruajtjen e të dhënave të digjitalizuara.
“Qëllimi i konferencës, si dhe punëtorisë së organizuar paralel me të, ka qenë që të kontribuojmë në rritjen e nivelit të sigurisë, por edhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e ruajtjen së të dhënave të tyre”, tha Abazi.


Ligjëruesi në Universitetin Bloomsburg të Pensilvanisë, Philip Polstra tregoi mënyrat se si mund të maskohen mjetet e ndryshme për vëzhgim dhe hakim.
“Ekzistojnë mjete të ndryshme që mund të shfrytëzohen për hakim, por ato duhet të përdoren në mënyrë të drejtë”, tha Polstra, teksa shpjegoi se “përmes këtyre mjeteve e kemi mundësinë të kemi qasje fizike nëpër faqet dhe zyrat e njerëzve vetëm brenda disa sekondave”.
Gjatë sesionit të përmbyllës të kësaj konference, përvojat dhe njohuritë e tyre i ndanë edhe hakerët fitues të garës “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, Kastriot Fetahu dhe Granit Krasniqi, si dhe kryeshefi ekzekutiv i zyrës për teknologji informative në platformën FindBug, Florian Konushefci, të cilët treguan për të gjeturat e tyre, aplikacionet dhe programet që i shfrytëzojnë, për të evidentuar probleme të ndryshme në fushën e sigurisë, në ueb faqe të ndryshme.

Konferenca ndërkombëtare për Siguri kibernetike dhe Privatësi është realizuar si rezultat i bashkëpunimit mes Qendrës për Siguri dhe Privatësi, UBT-së dhe IPKO-s, si sponsor gjeneral i këtij organizimi. Ndërkaq, për tri ditë, njohuritë, kontributin dhe përvojat e tyre i kanë ndarë politikanë, ekspertë të fushës së sigurisë kibernetike dhe privatësisë, përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, udhëheqës të institucioneve publike e private, përfaqësues të ambasadave te vendeve të ndryshme në Kosovë, njerëz publikë, gazetarë, profesorë e studentë.