Mbylli punimet Akademia Verore Ndërkombëtare e Kolegjit UBT-së

18/07/2016

Akademia Ndërkombëtare Verore, e organizuar nga Kolegji UBT-ja për të pestin vit me radhë, të premten, më 15 korrik, përmbylli me sukses aktivitetin e saj dyjavor.

Gjatë dy javëve, në kuadër të kësaj akademie u trajtuan tema në rrafshin akademik e profesional nga profesorë vendës e ndërkombëtarë, ekspertë nga fusha e biznesit e të politikës, si dhe u prezantuan punime e hulumtime shkencore të studentëve të Kolegjit UBT. 


Rektori i Kolegjit UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, në prononcimin e tij, në një nga numrat e Informatorit, theksoi, se, ANV është organizuar me qëllim të ofrimit të programeve shtesë për studentët, për të krijuar lidhje më të mirë të tyre, stafit dhe kolegëve-partnerë tanë rajonal e ndërkombëtarë. “Profesorët ndërkombëtarë kanë fituar përshtypje shumë të mirë, që krijon një energji pozitive për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e edukimit, shkencës dhe zhvillimit”. -theksoi  Hajrizi,

Koordinatori i ANV-së, Shkumbin Asllani, në prononcimin e tij për mbarëvajtjen e kësaj akademie, ndër tjerash nënvizoi, që, kjo akademi nisi dhe u përmbyll me sukses, sepse arriti të bashkonte diskutimin akademik me punën praktike të institucioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

“Pjesëmarrësit e akademisë kanë pasur mundësi t’i shikojnë nga afër problemet me të cilat po përballet industria në vendin tonë. Kjo është realizuar me qëllim, që gjeneratat e reja të gjejnë rrugë për përmirësimin e saj”, tha Asllani, teksa përmendi edhe risitë e kësaj akademie. “Si asnjë vit më parë, ka pasur laramani të programeve, të temave e të diskutimeve të zhvilluara gjatë këtyre dy javëve, sa edhe zgjati akademia.

Një risi tjetër e këtij viti ishte edhe realizimi i informatorit të ANV-së, që paraqiste një pasqyrë të ngjarjeve ditore të zhvilluara gjatë dy javëve, të cilat janë përcjellë nga studentët e Medias e Komunikimit në Kolegjin UBT”, shtoi ai.

Ndonëse gjatë kësaj akademie pati rreth 500 studentë pjesëmarrës dhe 150 ligjërues të huaj e vendës, Asllani u shpreh optimist se në vitin e ardhshëm interesimi do të jetë akoma më i madh, nga fakti që Kolegji UBT do të pajiset me konvikte e mensë të studentëve, të cilat do të shërbejnë për akomodimin e studentëve dhe të pjesëmarrësve në ANV.


Vlen të theksohet, që ANV, sivjet, në vete ka ngërthyer 15 disiplina shkencore, me 15 programe, edhe atë, në: Shkenca Kompjuterike, Shkenca Politike, Energji Efiçiente, Sisteme të Informacionit, Menaxhment e Ekonomi, Drejtësi, Media e Komunikim, Menaxhim i Mekatronikës, Arkitekturë, Ndërtimtari, Edukim, Zhvillim i Qëndrueshëm Ekonomik, Shkenca të jetës, Planifikimi i turizmit të qëndrueshëm dhe Roli i edukimit të lartë dhe hulumtimi i zhvillimit socio-ekonomik.


ANV është financuar nga Kolegji UBT, dhe, krahas ligjëratave, në kuadër të saj janë përfshirë edhe udhëtime të ndryshme në terren, me ç‘rast u vizituan qytete e objekte të rëndësishme, si dhe  disa  nga kompanitë dhe institucionet më të suksesshme në tregun e Kosovës.

 

Në ditën e fundit të punimeve të kësaj akademie, u shpërndanë certifikata për pjesëmarrësit e saj.