
Mbyllet me sukses Java e Dizajnit në UBT – prezantohen koleksione me vlera artistike dhe kulturore
05/06/2025UBT ka përmbyllur me sukses aktivitetet e Javës së Dizajnit, një ngjarje që bashkoi dizajnerë, artistë dhe akademikë nga vende të ndryshme për të ndarë përvoja, njohuri dhe punime kreative me vlera të larta kulturore dhe artistike.
Në ceremoninë përmbyllëse, Dekania e Fakultetit të Artit dhe Dizajnit në UBT, znj. Ariana Gjoni, i uroi mirëseardhje të pranishmëve, duke theksuar rëndësinë që UBT i kushton zhvillimit të shprehjes kreative dhe promovimit të dizajnit si fushë ndërdisiplinore.
Profesoresha Afërdita Statovci, kuratore e ekspozitës, e cila prezantoi disa koleksione të veçanta të dizajnit tekstil dhe të modës, duke theksuar se çdo punim është i lidhur me kujtesën kulturore dhe bart një mesazh të veçantë.
“Veshja shqiptare gjithmonë ka një identitet të fortë kulturor, kuptim dhe etnicitet. Një shembull tipik është xhupleta, si një simbol i trashëgimisë tonë kombëtare,” theksoi Statovci.
Në kuadër të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin një lidhje direkte me dizajneren nga Stambolli, Ayse Katilmis, e cila ndau rrugëtimin e saj profesional ndërkombëtar, duke përfshirë përvojat nga Barcelona e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam realizuar disa punime me mozaik që u mirëpritën nga publiku. Vetëm përmes udhëtimit dhe eksplorimit në vende të ndryshme arrita të fitoj dije të mjaftueshme dhe frymëzim për krijime autentike,” u shpreh Katilmis.
UBT, përmes Javës së Dizajnit, dëshmoi edhe një herë përkushtimin për të krijuar hapësira ku studentët dhe profesionistët e fushës mund të shfaqin talentin, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi ndërkombëtar.