Mbështetje diasporës me shërbime administrative nga Ministria e Diasporës dhe UBT

09/07/2013

Prishtinë,  9 korrik 2013

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe UBT-së, një numër i madh i studentëve, prej afro 100 studentë nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, Juridiku, Arkitektura, Menaxhmenti, Biznesi dhe Ekonomia, po ndjekin praktikën profesionale në ministri, dhe një numër i tyre janë akomoduar në zyrat komunale për shërbime të diasporës me qëllim që të shtohen këto shërbime gjatë muajve të korrikut dhe gushtit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. 

 

Më specifikisht, përmes këtij programi do të arrihet që shërbimet administrative në ministri dhe komuna respektive, të plotësohen me profesionistë të fushave të ndryshme, siç janë ato të IT-së, me studentët e Shkencave Kompjuterike, si dhe përmirësimin dhe lehtësimet në shërbimet tjera komunale që do të ishte një element i rëndësishëm dhe efikas për komunitetin, studentët, si dhe vet institucionet lokale dhe qendrore, e posaçërisht diasporën e cila gjatë pushimve verore ka nevojë për shërbime administrative.

 

Ky bashkëpunim është mirëpritur si në nivelin qendrorë ashtu dhe nivelin lokal, si mbështetje për punonjësit e administratës dhe të punësuarit e këtyre shërbimeve, me qëllim që gjatë ditëve të diasporës të ketë personel efikas dhe të rregullt, ndërsa qytetarët (diaspora) të kenë sa më shumë shërbime. Për UBT-në sjellja e këtyre përvojave nga tregu i punës për studentë është një çasje inovative që do ta ndihmoj procesin akademik të jetë sa më i orientuar tek tregu dhe të rrisë punësueshmërinë për studentët si institucion privat i arsimit të lartë në Kosovë. Internshipi për studentë ka vazhduar pothuajse në shumë institucione, kompani, dhe firma private dhe publike, ku si rezultat studentët mund të arrijnë konkretizimin e njohurive të tyre për të ushtruar profesionet ku edhe janë të përcaktuar.