MBE-ja nis me Programin e dytë të Akademisë Ndërkombëtare Verore

12/07/2016

Fakulteti Menaxhment Biznes dhe Ekonomin (MBE) ka nisur me Programin e dytë në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore (ANV), që është fusha e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Programi i parë i ANV-së ishte “Banka, Financa dhe Sigurime: vlerësimi dhe matja e rrezikut”. Programi është tradicional dhe organizohet për të gjithë studentët e këtij fakulteti, që për specializim kanë zgjedhur njërën nga fushat: Menaxhment, Ndërmarrësi, apo Inovacione. Programi është hapur zyrtarisht nga profesori Engelbert Selenko, njohës i denjë i fushës së ndërmarrësisë, PhD. Cand. Ermal Lubishtani dhe PhD. Cand. Albulena Jahja. Pasoi me ligjëratat përmbajtjesore nga profesor Selenko. 


Të gjithë pjesëmarrësit ishin kureshtarë të dëgjonin mësime nga profesor Selenko dhe të përfitojnë nga përvoja e tij afatgjate në fushën e krijimit të “Start-ups”, të financimit të bizneseve të reja, të kulturave organizative etj. 
Gjatë ligjëratës, kishte diskutime të hapura dhe pyetje, të cilat iu adresuan profesor Selenkos. Po sot, të martën, ANV-ja do të vijojë nga ora 17:30-21, me temën kryesore “Organizimi Efektiv; Komunikimi biznesor dhe kontrolli efiçient”, nga prof. Selenko, Agon Gashi nga kompania MERIDIAN, që do të sjellë përvojat e tij nga biznesi familjar, që ka shënuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit etj.