Kosova është interesante për turistët e huaj, duhet strategji adekuate për tërheqjen e tyre

03/12/2015

Organizuar nga UBT dhe Shoqata Austriake-Kosovare, në kampusin inovativ të UBT-së, sot i zhvilloi punimet konferenca “Dita Austriake-Kosovare e Strategjisë së Turizmit 2015”, në të cilën, ekspertë të turizmit paraqitën gjendjen e tanishme të turizmit në vendin tonë dhe strategjinë për vitin 2016.

 

Larissa Olenicoff është nga Kalifornia dhe është koordinatore në qendrën e turizmit, ekonomisë dhe inovacionit në UBT. Ajo ka blogje të ndryshme dhe viziton vendet e Kosovës dhe të rajonit, duke i postuar fotot nëpër rrjetet sociale, që njerëzit anembanë botës të kuptojnë se çfarë vendesh ka në Kosovë.

 

Ajo vuri theksin te përgatitja profesionale e njerëzve që merren me turizëm. “Nuk mund të kemi turizëm pa njerëz të kualifikuar në këto fusha. Kërkesa ime sa i përket zhvillimit të ekonomisë do të ishte që TVSH-ja të zbritet në 10 për qind”, tha ajo, duke u shprehur se UBT ka ndihmuar dhe mund të ndihmojë shumë në strategjinë për turizmin.

 

“Kam shumë dashuri për Kosovën, sepse ka shumë gjëra të mira, madje as diaspora nuk i di ato vende”, tha ajo, duke shtuar se turizmi është produkt dhe duhet të tregtohet në mënyrë të duhur.

 

Arkitektja Florina Jerliu, në paraqitjen e saj në konferencë, e vuri theksin te mundësitë e mëdha që ofron qyteti i Prishtinës në fushën e turizmit.

 

Ajo tha se Prishtina është kryeqyteti dhe është atraktiv, ndaj kushdo që vjen në Kosovë e zgjedh pikërisht Prishtinën për ta vizituar.

 

Ajo veçoi qendrën e qytetit, por edhe periferinë dhe vendbanimet përreth, ku ka gjurmë të lashtësisë, miniera, objekte të vjetra fetare, shtëpi të vjetra tradicionale dhe shumëçka për t’u parë e eksploruar.

 

Zonja Jerliu gjithashtu dha një varg idesh për mënyrën se si duhet të mbrohet trashëgimia dhe të gjitha objektet atraktive, që t’u prezantohen vizitorëve të huaj.

 

 

Drejtori i kompanisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi, kritikoi qasjen ndaj turizmit, por edhe ndaj zhvillimit ekonomik, duke thënë se në këtë drejtim problemi qëndron në mungesën e vizionit, konceptit, ideve e strategjive.

 

Ai tha se, sipas statistikave, ka një interesim të të huajve për ta vizituar vendin tonë, por ata më shumë vijnë për biznes sesa për turizëm dhe mysafirët më të shpeshtë janë nga Shqipëria, Gjermania, Italia e vende të tjera.

 

Z.Ejupi tërhoqi një paralele të interesimit të turistëve të huaj për vizitë në Maqedoni, një vend që, gjithashtu si Kosova, nuk ka dalje në det. Duke pasur një strategji tjetër të qasjes ndaj turistëve, ai tha se në Maqedoni, në periudhën janar-korrik, 500 mijë të huaj kanë qëndruar nëpër objektet hoteliere, ndërsa në Kosovë për një vit nuk realizohen më shumë se 100 mijë qëndrime.

 

Ai tha se Kosova duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që ofron turizmi malor, ku ka shumë qendra në Kosovë që mund të jenë shumë atraktive për të huajt.

 

Günther Dress, ekspert i çështjeve të turizmit nga Gjermania, vlerësoi ndër të tjera se nuk është me rëndësi vetëm të kesh vende e monumente interesante, por është shumë e rëndësishme që ato të ruhen dhe të jenë atraktive për turistët e huaj.

 

Ai përcolli përvojat e tij nga vizitat në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, dhe theksoi elementin e njerëzve mikpritës, që janë një nga elementet kryesore të zhvillimit të turizmit.

 

 

Z.Dress gjithashtu disa lloje të turizmit që mund të jenë joshëse për të huaj, si turizmi kulturor, turizmi malor, çiklizmi, ngjarjet e ndryshme atraktive e të tjera.