Kosova përballet me probleme të theksuara në fushën e strehimit

10/02/2016

Në organizim të UBT-së, Shoqatës austriake-kosovare dhe OJQ për strehim social dhe të drejta pronësore në Kosovë, të mërkurën, më 10 shkurt 2016, u mbajt konferenca me titull “Dita austriake-kosovare e strehimit social”, në të cilën, si edhe në të gjitha konferencat e mëparshme, pati referues nga Kosova dhe nga Austria.


Konferencën e hapi Prof. Dr. Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, i cili foli për rëndësinë e madhe që ka ky projekt për popullatën, e sidomos për ata me nevojë të banimit. Ndër të tjera, ai theksoi bashkëpunimin që ka UBT me këto organizma si nga Austria po ashtu edhe nga Kosova. “E mira e krejt kësaj është ndërtimi i Kosovës, dhe këtu po bëhet mjaft rreth saj. UBT ka licencën për të certifikuar administratorët për administrimin e objekteve publike kolektive”, tha  Dr. Hajrizi.


Pas tij, fjalën e mori Merita Dalipi, përfaqësuese e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, e cila po ashtu u përqendrua në rëndësinë e zhvillimit të projektit për banim social. Sipas saj, Kosova ka kaluar procesin e integrimit. “Kemi kaluar procesin e integrimit, por gjendja e banimit social në Kosovë është e rëndë, edhe pse është punuar mjaft edhe në legjislacion”, tha znj. Dalipi.


Murat Hoxha, përfaqësues i gjeodetëve të Kosovës, u përqendrua te prona si aset i rëndësishëm i hipotekimit dhe i zhvillimit ekonomik të Kosovës.


Ëolfgang Amann, profesor i asociuuar nga Austria, foli për përvojat austriake të strehimit social, duke paraqitur në formë tabelare edhe angazhimin e shteteve të tjera evropiane. Ai rekomandoi edhe kosovarët se si mund të zhvillojnë këtë aspekt, duke u ndalur te fokusimi te familjet me nevojë. “Austria ka pasur një projekt që i ka zgjatur 20 vjet dhe ka investuar në 12 shtete”, tha ai. Më tej ai u angazhua në rekomandimin se si do të duhej të zhvillohej ky projekt në Kosovë. “Për të pasur sukses do të duhej fokusuar në sasinë e banimit, provizionit, cilësisë së ndërtimit, zhvillimit urban, integrimi social, etj.”, tha z. Amann.


Mentor Hoxha, anëtar i sistemit për pronën kadastrale në Kosovë, u përqendrua në privatësinë pronësore, duke u ndalur te problemet që paraqiten ose janë paraqitur këtu te ne, meqë Kosova është një shtet i ri, dhe, si shtet i ri, normalisht, që përballet me probleme të mëdha në fushën e kadastrës dhe shkeljen e privatësisë së qytetarëve. Problem tjetër, sipas tij, është edhe shitja e pronave më tepër se një herë, si rezultat i mosnjohurive të përkatësisë pronësore. Megjithatë, ai u shpreh optimist, që edhe në vendin tonë do të ndryshojnë gjërat shumë shpejt, pasi që zhvillimi teknologjik e ka bërë të vetën.


“Jemi duke jetuar në një formë të Big Brother-it, ku satelitët na vëzhgojnë gjatë tërë kohës, pastaj është edhe Google Map, që e di saktë se ku jemi e çka posedojmë”, u shpreh z. Hoxha.


Ai theksoi se sfidë tjetër për shtetin e ri të Kosovës është liria e informacionit,dhe e cila, do të vazhdojë deri në përfundimin e kornizës ligjore, sepse nuk ka mbikëqyrje efektive për marrjen e masave, në rastet kur privatësia e ndonjë qytetari thyhet. Krejt në fund, ai theksoi se ata janë pro transparencës së të dhënave kadastrale dhe pro modelit austriak.

 

Përfaqësuesi i OJQ-së, Agron Beka, tregoi se modeli i banimit social e ka historikun e krijimit në Angli dhe që ata janë munduar t’i japim një formë edhe në vendin tonë. Sipas tij, problem për udhëheqësit tanë është se ata nuk e kuptojnë qartë rolin e banimit social, pra, nuk e dinë se një shërbim i tillë, a është ndihmë që i jepet qytetarëve apo obligim ligjor. “Banimi social është i rregulluar me ligj dhe si i tillë është edhe obligim ligjor”, tha z. Beka.


Tutje ai sqaroi se qeveria dhe organizatat e ndryshme joqeveritare, prej vitit 2005 deri më 2015 kanë ndërtuar rreth 1460 shtëpi për këtë qëllim, kurse shumica e tyre janë ndërtuar për komunitetin serb, e që janë të zbrazura, sepse ata kanë vendosur të kthehen në Serbi apo edhe vende të tjera.


Ai përmendi edhe një projekt tejet të rëndësishëm, “Streho edhe ti”, qëllimi i të cilit është strehimi i mbi 100 familjeve, që kanë nevojë për strehim gjatë muajve të dimrit. Një projekt të tillë e ka jetësuar OJQ-ja, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, bashkatdhetarët, si dhe bizneset private e publike, kurse kryetar i bordit është rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi.


Në kuadër të kësaj konference, fjalim mbajti edhe ekspertja për administrimin e strehimit social, Zana Tabaku. Ajo tha në vitin e kaluar është lansuar sistemi për regjistrimin e personave, që kanë nevojë për strehim, si dhe vendosja e tyre nëpër banesa e shtëpi strehimi. Sistemi përfshin pagesat e qiramarrësve e qiradhënësve, si dhe hartat se ku ndodhen vendet strehuese. Në fund, ajo shprehu edhe gatishmërinë për të sqaruar ecurinë se si funksionon i tërë ky sistem për të interesuarit.


Shkumbin Asllanit theksoi se UBT-ja ka themeluar qendrën për studime shkencore, që gjendet në kuadër të Fakultetit Juridik. Ai tregoi në mënyrë të detajuar krijimin e analizës ligjore për legjislacionin ligjor, që ka për qëllim analizimin e ligjeve e mangësive të tyre, dhe kërkoi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ta shqyrtojë përmbajtjen e ligjeve për sa i përket strehimit social. Asllani theksoi se gjatë analizës do të rishikohen çështjet e strehimit social dhe do jepen rekomandime se si mund te rregullohet ky problem nga qeveria.


“Analiza ligjore për legjislacionin pronësor është shumë e rëndësishme, sepse që nga paslufta nuk janë bërë studime dhe rekomandime të këtij niveli“, u shpreh ai.


 

Konferenca u mbyll me fjalimin e Ramë Hamzës nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili tha se ata janë ndër shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës, pasi që harxhojnë rreth 18 për qind të buxhetit të Republikës së Kosovës. Tutje, ai sqaroi se ministria ka ngritur disa objekte të strehimit social nëpër qytete të ndryshme dhe për komunitete të ndryshme. “Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është diçka e shenjtë sepse ka marrë një mision të shenjtë”, tha ai. Ai tregoi se ata janë përgjegjës për ushqimin e familjeve në kushte të vështira, por jo, edhe për strehimin e tyre, sepse, sipas tij, kjo tashmë ka kaluar në kuadër të pushtetit lokal të komunave. Por, edhe përkundër kësaj, ai u shpreh se kjo ministri do të vazhdojë të ndihmojë dhe të japë kontribut në zgjidhjen dhe përballimin e këtij problemi.